E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për Amnistinë dërgohet në Gjykatën Kushtetuese

Sot, 19 korrik Deputetë të Grupit parlamentar të VETËVENDOSJE!-s, Deputetët e Lëvizjes për Bashkim dhe Deputeti Emin Gërbeshi, dorëzuan sot kërkesën lidhur me Vlerësimin e Kushtetutshmërisë së Ligjit për Amnistinë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Për mediet, arsyet e kësaj kërkese, i paraqiti Deputetja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albulena Haxhiu. Më poshtë mund të gjeni fjalën e saj të plotë:

Ashtu siç edhe në vazhdimësi kemi thënë, ne si subjekt politik po i përdorim të gjitha mjetet ligjore, juridike dhe institucionale në këtë rast edhe Gjykatën Kushtetuese për të kundërshtuar kështu marrëveshjen Thaçi-Daçiç dhe dëmet që rrjedhin prej saj. Pra, sot ne dërguam projektligjin për amnisti në Gjykatën Kushtetuese, i cili projektligj rrjedh si pasojë ose si rezultat i marrëveshjes Thaçi-Daçiç për vlerësim të kushtetutshmërisë. Kërkesës sonë iu bashkëngjitën edhe dy deputetët e Lëvizjes për Bashkim, z. Agim Kuleta dhe Aurora Bakalli si dhe deputeti i pavarur z.Emin Gërbeshi.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, thuhet që brenda tetë ditëve, dhjetë deputet mund ta kontestojnë në aspektin përmbajtësor dhe procedural çdo projektligj. Andaj ne e kontestuam këtë projektligj në dy aspekte: në atë përmbajtësor, për shkak se me miratimin e këtij projektligji u shkelën të drejtat e njeriut, pra u shkel Kushtetuta e Republikës së Kosovës Neni 31, 32 dhe 24, barazia përpara ligjit. Pra, projektligji i cili ia pamundëson shfrytëzimin e mjeteve të efektshme juridike palës së dëmtuar në rastin kur në veprat të cilat janë amnistuar janë cenuar të drejtat e tyre.

Përveç Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me miratimin e këtij projektligji u shkel edhe Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, konkretisht Neni 6, 8, 13 dhe 14. Kështu edhe në aspektin procedural, për shkak të shkeljeve flagrante që iu bënë Rregullores së Punës vetëm dhe vetëm për t’i akomoduar kështu interesat e Daçiçit.

Ne besojmë që Ligji për Amnisti, është ligji më i dëmshëm që është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës pas Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes Kosovës dhe Serbisë./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›