E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKP synon shkarkimin e drejtorit të “Trepçës” në veri

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit kanë paralajmëruar mundësinë e parashtrimit të kërkesës drejt Bordit të kësaj agjencie për ta larguar drejtorin aktual të “Trepçës” në veri të Mitrovicës, Jovan Dimkiq, në rast se ai nuk sjell kopjen e marrëveshjes së nënshkruar midis Qeverisë serbe dhe konsorciumit amerikan, transmeton KTV. Ndërsa, institucionet e vendit duket se janë ndier të liruara pas reagimit që ka bërë Departamenti amerikan i Shtetit lidhur me nënshkrimin e kontratës midis Qeverisë së Serbisë dhe konsorciumit amerikan. Kryetari i Komisionit për zhvillimin ekonomik, Zenun Pajaziti, ka thënë se komisioni do t’i kërkojë Agjencisë Kosovare të Privatizimit informata të detajuara lidhur me situatën e krijuar tashmë disa ditë. E, Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane, ka kritikuar institucionet e vendit për mosreagim ndaj kësaj marrëveshjeje.

Kohavisioni, ka pyetur zëvendëskryeministrin Kuçi se a do të kërkojë delegacioni i Kosovës gjatë bisedave në Bruksel nga pala serbe sqarime për këtë marrëveshje, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje. Gjithashtu as guvernatori i Ilinoisit, Pat Quinn, nuk u është përgjigjur pyetjeve të KTV-së, lidhur me atë se çfarë ka nënshkruar me Qeverinë serbe dhe se a ka pasur gisht në arritjen e marrëveshjes për “Trepçën”./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›