Dyshime në vlefshmërinë e licencave të KPMM-së

Auditori Gjeneral po dyshon në vlefshmërinë e licencave të Komisioni të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Sipas Zyrës së Auditorit Gjeneral, KPMM-ja nuk ka respektuar afatet kohore të parapara me ligj për lëshimin e licencave. Këto vonesa, sipas Auditorit vënë në dyshim validitetin kohor të dokumentacionit të dorëzuar nga aplikuesit në kërkesën fillestare.
Auditori Gjeneral ka publikuar Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Komisionit të Pavarur për Media dhe Minerale për vitin përfundimtarë 2012. Sipas opinionit të përgjithshëm të auditorit, pasqyrat financiare në të gjitha aspektet materiale prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë. Por, liçencat sipas Zyrës së auditorit janë sfidë për KPMM-në.
Gjatë vitit 2012, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) ka lëshuar 44 licenca hulumtimi, 28 licenca shfrytëzimi, si dhe ka riaktivizuar 10 licenca shfrytëzimi të cilat në vitin 2011 me vendim të Qeverisë janë pezulluar. Këto licenca kishin të bënin me eksploatimin e materialeve inerte nga shtretërit, brigjet dhe hapësirat përreth lumenjve.
“Nga 44 licencat e lëshuara për hulumtim, në 21 raste është tejkaluar afati maksimal ligjor prej 5 muajsh, dhe në 3 raste kemi vërejtur se aplikimi për licencë ishte bërë në vitin 2009. Nga 28 licencat e lëshuara për shfrytëzim, në 19 raste është tejkaluar afati maksimal ligjor prej 4 muajsh, në disa raste kemi vërejtur se aplikimi për licencë ishte bërë në vitin 2009/2010. Sipas KPMM-sё arsyeja e vonesës ёshtё mos kompletimi i dokumentacionit nga OE. Pёr kёtё qёllim, KPMM me datёn 18.06.2012, ka nxjerr vendim duke saktësuar se aplikacionet pranohen vetëm të kompletuara me pëlqime nga autoritetet përkatëse”, thuhet në raportin e Auditorit e auditimit për KPMM-në.
Madje, gjatë testimit të lëshimit tё licencës, Auditori ka vërejtur se një kompani nuk i kishte përmbushur kërkesat ndaj KPMM-së.
“Në datën kur është lëshuar licenca nga KPMM-ja, kompania kishte obligime financiare në vlerë prej 36,736 euro”.
Auditori ka rekomanduar KPMM-në që të mos lëshojë më liçencë për asnjë operator ekonomik pa i kryer paraprakisht të gjitha obligimet financiare ndaj sajë.
Ndryshe, personi i cili dëshiron të pajiset me licencë duhet t’i paraqesë KPMM-së një kërkesë të plotësuar për marrjen e Licencës e cila bëhet në formën e paraparë së bashku me pagesën e taksës, dhe bashkëngjiten dokumentet e kërkuara nga KPMM. Brenda tre (3) muajve nga pranimi i kërkesës së plotë nga një aplikues i kualifikuar, KPMM-ja ose e lëshon Licencën e kërkuar ose i dërgon aplikuesit vendimin për refuzim. /m.b /Indeksonline/