AKR : Po bëhen ‘hite’ lajmet mbi sondazhe të rreme

Aleanca Kosova e Re vlerësoi se sondazhi i “Index Kosova” është një ndër mashtrimet që po i bëhen qytetarëve të Prishtinës.
Sipas AKR-së po bëhen “hite” lajmet mbi sondazhe të rreme.
“Në të gjitha zgjedhjet në Prishtinë AKR-në ‘sondazhet’ e kanë renditur me këto shifra, por realiteti ka qenë gjithnjë ndryshe. Po ju informojmë se sipas sondazheve të Institucioneve ndërkombëtare dhe që ju janë shpërndarë partive politike, AKR është favorite në Prishtinë. Do të jemi befasia e këtyre zgjedhjeve. Vetëm AKR mund ta zhvilloj Prishtinën”, thuhet në kumtesë.
Ndryshe, një hulumtim i opinionit publik i zhvilluar nga "Index Kosova" për zgjedhjet e 3 nëntorit në Prishtinë nxjerr dy partitë opozitare në nivel vendi, LDK e VV, në balotazh në betejën për kryeqytetin.
Ndonëse ende nuk janë zyrtarizuar kandidatët e partive politike për Kryetar të Prishtinës, në pyetjen e parashtruar gjatë sondazhit të "Index Kosova" se nëse zgjedhjet lokale për Kuvendin Komunal do të mbaheshin nesër 500 respondentët janë përgjigjur si vijon: LDK 29%; VV 17%; PDK 11%; AAK 3% dhe AKR 1%./Indeksonline/