E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Aministisë deri më 16 gusht

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konfirmuar se Ligji për Amnistinë është duke u shqyrtuar në këtë institucion dhe se përgjigja lidhur me të do të publikohet më së largu deri më 16 shtator.

Nëpërmjet një njoftimi publik, Gjykata ka njoftuar se lënda që është dërguar nga deputetët e Vetëvendosjes do të shqyrtohet në bazë të Ligjit dhe rregulloreve të këtij institucioni.

"Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është në fazën shqyrtuese të kërkesës për Ligjin e Amnistisë, dhe se vendimi do të merret brenda afatit ligjor dhe në përputhje me nenin 43.3 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, si dhe me Rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese", thuhet njoftim.

Sipas nenit 43.3 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese precizohet se ky institucion obligohet që nxjerr vendimin mbi kontestin, jo më vonë se gjashtëdhjetë ditë, pas dorëzimit të kërkesës.

Kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje është dorëzuar në Gjykata para tetëmbëdhjetë ditësh dhe sipas llogarive del se vendimi për Ligjin për Amnisti do të publikohet më së largu më 16 shtator.

"Sapo të merret vendimi, Gjykata Kushtetuese do t’ju informojë me kohë ju dhe opinionin për këtë, dhe Vendimi do të publikohet edhe në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës", thuhet më tej në përgjigje.

Ligji për Aministinë është miratuar në Kuvendin e Kosovës, më 11 korrik, me 90 vota për dhe me 17 vota kundër.
Tetë ditë më vonë, deputetët e Vetëvendosjes, të mbështetur edhe nga deputetë të Lëvizjes për Bashkim, kanë kontestuar kushtetutshmërinë e këtij ligji.

Sipas Vetëvendosjes, me miratimin e Ligjit janë shkelur neni 31, 32. dhe 24 të Kushtetutës, nene këto që flasin për gjykim të drejtë, të drejtën e palëve për t'u ankuar dhe barazinë para ligjit./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›