AKR: Akuzat ndaj Ismajlit, retorika elektorale

Aleanca Kosova e Re, ka reaguar ndaj shkrimeve nëpër media, në të cilat ministri ri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, akuzohet se sa ka qenë drejtor i KOSTT-it, i ka dhënë tenderë në dhjetëra milionë euro kompanisë KOMTEL, të drejtuar nga Vegim Gashi, duke i cilësuar ato si tendencioze dhe me karakter elektoral, si dhe me interes të grupeve të caktuara.
Donika Surdulli, zëdhënëse e AKR-së, në një konferencë për media, të mbajtur të shtunën ka mbrojtur ministrin e ri të Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajlin, si dhe anëtarin e AKR-së Vegim Gashin, duke thënë se kompania e tij KOMTEL, nuk ka fituar tenderë nga KOSTT-i.
“Vegim Gashi dhe kompania e tij KOMTEL, asnjëherë nuk ka fituar një kontratë me vlerë prej dhjeta miliona nga KOSTT, por e vërteta qëndron krejt ndryshe, se: Kompania me renome botërore nga Franca AREVA ka fituar këtë tender dhe kompania KOMTEL në këtë projekt ka qenë një partner i AREVA -së me vlerë rreth 2.5 milion. Po ashtu, kompania KOMTEL asnjëherë të vetme nuk ka fituar tender në KEK sa ishte z. Ismajli kryeshef i kësaj ndërmarrje, por KOMTEL ka fituar projekte në konkurrencë ndërkombëtare me kompani botërore nga Agjencioni Evropian për Rindërtim dhe nga Fondet e USAID – it, projekte të cilat janë realizuar në KEK”, ka thënë ajo.
Surdulli, po ashtu ka thënë, se Ismajli bazuar në ligjet e Kosovës nuk ka pasur asnjëherë poste që lidhen me dhënien apo marrjen e tenderëve dhe se ai ka qenë drejtues i lartë i ndërmarrjeve publike, ku ka treguar vetëm rezultat ne punën e tij.
Ministri i ri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaijli, sipas AKR-së, është njeri me integritet të lartë moral dhe profesional dhe se gjithnjë ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencionin kundër korrupsion, këto deklarime asnjëherë nuk kanë qenë subjekt hetimi apo debati në media./Indeksonline./