E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPJ reagon ndaj arrestit shtëpiak të Selimit

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës shprehet e brengosur për zhvillimet e fundit lidhur me aktakuzat për krime lufte ndaj ish-komandantëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, duke përfshirë ambasadorin e Republikës së Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi."Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës beson në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftëtarëve e komandantëve të saj, luftë e cila mundësoi që Kosova të fitojë lirinë, pavarësinë, shtetin demokratik dhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me NATO-n", thuhet në komunikatë.

Në komunikatë thuhet se MPJ mbështet sundimin e rendit dhe ligjit, funksionimin e pavarur dhe të paanshëm të gjyqësorit në tërësi dhe të EULEX-it dhe pret që edhe ky proces të zhvillohet mbi këto parime.

"MPJ beson fuqishëm në pafajësinë e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi, i cili pas luftës, në vazhdimësi ka qenë figurë qendrore e bashkëpunimit të fuqishëm me KFOR-in, personaliteti, përkushtimi dhe aftësitë e të cilit, kanë bërë që ai të emërohet komandant i TMK-së, e më pas edhe i FSK-së", thuhet në komunikatë./Indeksonline./
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›