AKR-ja do të kandidojë edhe femra

Zëvendëspresidentja e AKR-së, Mimoza Kusari -Lila u ka bërë thirrje partive politike të kandidojnë më shumë femra, për kryetare në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Ajo ka thënë për “Epokën e re” se subjektet politike që nga pas lufta është dashur të kandidojnë femra për të qeverisur në nivelin lokal. Në këtë kontekst, Kusari-Lila ka thënë se ka shumë femra të zonja në Kosovë që mund të udhëheqin komuna.
“Mendoj se qysh pas mbarimit të luftës së fundit në Kosovë dhe mbajtjes së zgjedhjeve të para lokale partitë politike ka qenë dashur të kandidojnë femra për pozita udhëheqëse komunale. Besoj fuqishëm se ka shumë femra të zonja të cilat do ta bënin shumë mirë punën si kryetare të komunave”, ka deklaruar Kusari-Lila, duke shtuar se i gjithë faji për mungesë të femrave në qeverisjen lokale nuk duhet të bie vetëm mbi partitë politike. “Megjithatë, kjo varet edhe nga prioritetet dhe kriteret të cilat partitë politike i kanë në raport me kandidimet e tyre për krerë komunalë. Por, për të mos e lënë gjithë barrën tek partitë politike, mendoj se edhe organizatat joqeveritare kanë mundur të kandidojnë femra apo kandidate të ndryshëm në koalicione të cilat regjistrohen vetëm për procesin zgjedhor”, është shprehur Kusari-Lila.
Zëvendëspresidentja Kusari-Lila ka bërë me dije se në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit AKR-ja do t’i kandidojë së paku tri femra për kryetare të komunave. “AKR-ja do të kandidojë edhe femra në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Mendoj se të paktën në dy apo tri komuna do të kemi kandidate femra për kryetare të komunave”, ka thënë Kusari-Lila.
Megjithatë, ajo ende nuk e ka ndarë mendjen nëse do të kandidojë ose jo për kryetare të Komunës së Gjakovës. Sipas saj, ky vendim do të bëhet publik në kohën e duhur. “Personalisht ende nuk e kam sjellë vendimin tim a do të kandidoj për Gjakovën apo jo. Është një vendim i cili në momentin e duhur do të bëhet publik dhe besoj se do të ketë qartësi të mjaftueshme nga ana e AKR-së për kandidatët e saj në të gjitha komunat”, ka deklaruar Kusari-Lila. Ajo ka thënë se kushdo që të jetë në krye të ndonjë komune ka për obligim përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj. “Përgjegjës për ta përmirësuar jetën dhe qeverisjen lokale në komunat e Kosovës janë të gjithë qytetarët e moshës madhore të cilët jetojnë dhe veprojnë në komuna dhe mendojnë për përmirësimin e jetës atje”, ka thënë Kusari-Lila. /Indeksonline/