Arrestimi në Pejë, MF kërkon masa ligjore kundër korrupsionit

(E plotësuar) Lidhur me arrestimin e zyrtarit të ATK-së në Pejë, ka reaguar Ministria e Financave. Ky dikaster inkurajon të gjithë qytetarët e vendit që në organet e ndjekjes dhe drejtësisë të paraqesin të gjithë ata të cilët kryejnë veprat antiligjore siç është korrupsioni, zhvatja apo vepra tjera penale duke e keqpërdorur pozitën zyrtare.
“Ministria e Financave angazhohet për respektimin e ligjshmërisë dhe përcaktimin e përgjegjësisë individuale për të gjithë ata të cilët në çfarëdo mënyrë janë të implikuar në sjellje të cilat nuk përkojnë me obligimet dhe autorizimet ligjore. Në këtë drejtim MF i jep përkrahje të plotë organeve të ndjekjes dhe drejtësisë që edhe në rastin e inspektorit tatimor në Zyrën e ATK-së në Pejë, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti, të ndërmarrin të gjitha masat ligjore për të përcaktuar përgjegjësinë e tij”, thuhet në një reagim të Ministrisë së Financave. /Indeksonline/
......................
Policia e Kosovës ka vënë në pranga një zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës. Deri të arrestimi ka ardhur, pasi zyrtari i ATK-së i ka marrë një qytetari 300 euro për t’ia mundësuar ushtrimin veprimtarisë tregtare (shitjen e cigareve) pa licencë dhe pa arkë fiskale.
Sipas Policisë së Kosovës, arrestimi ka ndodhur dje në qytetin e Pejës, dhe rasti është hapur si keqpërdorim i pozitës zyrtare/marrje ryshfeti. “Në konsultim me prokurorin i dyshuari është dërguar në mbajtje”, bënë të ditur Policia. /Indeksoline/