AKR’ja ndjehet meritore për fitoret e PDK’së

Aleanca Kosova e Re ndjehet meritore për fitoret që shënoi një ditë më parë Partia Demokratike e Kosovës në Prizren dhe Lipjan.
Ky qëndrim u dha të hënën nga Zëdhënësi i AKR’së, Arbër Geci.
Sipas tij, AKR’ja konsideron se ka bërë zgjedhjen e duhur duke u rreshtuar në përkrahje të kandidatëve të PDK’së.
“Besojmë fuqishëm që vota e AKR’së ishte esenciale për fitoren në Prizren dhe Lipjan. Qytetarët e këtyre komunave duhet të jenë të sigurt që AKR’ja në qeverisje lokale do të jetë në shërbimin e tyre”, tha ai.
Mirëpo, sipas tij, edhe pse është formuar koalicioni për bashkëqeverisje lokale me PDK’në, AKR’ja do të vazhdojë të jetë opozitë përballë Qeverisë aktuale.
“Me PDK’në kemi gjetur interesa të përbashkëta për këto dy komuna. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk do të kritikojmë Qeverinë kur nuk e bën punën si duhet”, u shpreh Zëdhënësi i AKR’së.