E Diel, 1 Nëntor 2026

AKSK: Dy cenueshmëri kritike në WordPress, kërkohet përditësim i menjëhershëm

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) njoftoi sot se në kuadër të angazhimit të përditshëm për garantimin e një hapësire kibernetike të sigurt në vend, ka evidentuar vulnerabilitete (cenueshmëri) kritike në WordPress, të cilat kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga të gjitha subjektet që përdorin versionet e prekura.

Sipas AKSK teknologjia e prekur është WordPress dhe versionet e prekura janë WordPress 7.0.0 – 7.0.1, WordPress 6.9.0 – 6.9.4, WordPress 6.8.0 – 6.8.5 (prekur nga CVE-2026-60137); CVE-2026-63030 – Vulnerabilitet në WordPress Core REST API Batch Endpoint

AKSK sqaroi se versionet e WordPress para 7.0.2 janë të prekura nga një vulnerabilitet në REST API Batch Endpoint, i cili mund të mundësojë SQL Injection dhe Remote Code Execution (RCE).

Dy vulnerabilitete kritike janë evidentuar në WordPress, me datë alerti 17 korrik 2026. Njëri prej tyre, CVE-2026-60137, lidhet me një dobësi SQL Injection, pasi parametrat e “WP_Query” nuk pastrohen siç duhet dhe mund të lejojnë injektimin e të dhënave të pabesueshme përmes plugin-eve ose temave. Vulnerabiliteti është vlerësuar me CVSS 9.1, ndërsa CVE-2026-63030 ka një nivel rrezikshmërie CVSS 9.8, duke u klasifikuar si kritik.

Sipas AKSK menjëherë pas publikimit të këtyre vulnerabiliteteve, ekipet e AKSK kanë njoftuar infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit, duke kërkuar kryerjen urgjente të përditësimeve të nevojshme.

Ky njoftim u drejtohet gjithashtu të gjitha institucioneve, organizatave, bizneseve dhe administratorëve të faqeve publike në Republikën e Shqipërisë që përdorin WordPress.

AKSK rekomandon përditësimin e menjëhershëm të WordPress në versionin më të fundit të sigurt, për të reduktuar ekspozimin ndaj shfrytëzimit të këtyre vulnerabiliteteve dhe për të parandaluar cenimin e sistemeve dhe të dhënave.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›