E Diel, 1 Nëntor 2026

Anulohet takimi Kurti-Ulutash për Urën e Ibrit

PRISHTINË, 22 gusht /ATSH/ KFOR bëri të ditur sot se takimi mes komandantit të këtij misioni Ozkan Ulutas dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk u zhvillua.

Në njoftimin për media të KFOR-it thuhet se takimi i planifikuar nuk u zhvillua për shkak të rrethanave të paparashikuara.

“Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë.

KFOR-i vazhdon aktivitetet e tij të përditshme në të gjithë Kosovën, me qëllim të ruajtjes së një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999’’, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Më herët gjatë ditës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se sot do të takohet me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve.

Ai tha se janë në komunikim të përditshëm me KFOR-in që kjo hapje të bëhet në mënyrë paqësore.

“Sa i përket itinerarit për hapjen e plotë të Urës së Ibrit, përkatësisht marrjen nën kontroll tërësisht nga ana e Policisë së Kosovës ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe sot kam një takim në Kryeministri me gjeneralin e KFOR-it, komandantin Ozkan Ulutash. Pra, jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Brendshme në mënyrë që të shkojë gjithçka në mënyrë të qetë dhe paqësore”.

Më pas Kurti tha se pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm në këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve e as të tensioneve tregojnë që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave, liria gjithnjë më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen e ekonominë.

KFOR-i ditë më parë njoftoi për “tranzicion gradual” të pranisë së tij mbi Urën e Ibrit, ndërsa Bashkimi Evropian deklaroi se tashmë janë përmbushur kushtet që kjo urë të hapet edhe për automjete. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›