E Diel, 1 Nëntor 2026

AKT NORMATIV PËR PRIVATIZIMIN DHE DHËNIEN NË PËRDORIM SHOQËRIVE TREGTARE DHE INSTITUCIONEVE SHTETËRORE TË NDËRMARRJEVE APO OBJEKTEVE TË VEÇANTA, MJETEVE KRYESORE DHE MJETEVE TË XHIROVE SË KËTYRE NDËRMARRJEVE,

AKT NORMATIV

PËR

PRIVATIZIMIN DHE DHËNIEN NË PËRDORIM SHOQËRIVE TREGTARE DHE INSTITUCIONEVE SHTETËRORE TË NDËRMARRJEVE APO OBJEKTEVE TË VEÇANTA, MJETEVE KRYESORE DHE MJETEVE TË XHIROVE SË KËTYRE NDËRMARRJEVE,

Në mbështetje të nenit 101, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1

Qëllimi i këtij akti normativ është përcaktimi i organeve dhe i kompetencave, që ato kanë për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhirove së këtyre ndërmarrjeve.

Neni 2

Me privatizim kuptohet procesi i transferimit të së drejtës së pronësisë shtetërore te personi, juridik ose fizik, privat.

Kalimi i pronës shtetërore në pronë private bëhet nëpërmjet formave të ndryshme të privatizimit si: shitjes me ankand, tenderit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kriteret për vlerësimin e pronës shtetërore, që privatizohet, si dhe procedurat e format e privatizimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 3

Kalimi i pronës shtetërore në pronë private drejtohet nga ministria përgjegjëse për ekonominë, e cila përcakton kohën dhe formën e realizimit të privatizimit për të gjitha pasuritë shtetërore, që i nënshtrohen këtij procesi.
Miratimi i privatizimit për pasuritë e luajtshme kryhet nga organi, që i administron ato.

Neni 4

Organi, që kryen procedurat e shitjes së pronës shtetërore, që privatizohet, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe me ligj, është Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financvave.

Neni 5

Prona shtetërore jepet me qira, enfiteoze apo me kontrata të tjera, të parashikuara në legjislacionin në fuqi, nga ministria përgjegjëse për ekonominë, ministritë, institucionet e tjera, në varësi të Këshillit të Ministrave, organet përkatëse të qeverisjes vendore, që përgjigjen për administrimin e pronës shtetërore, si dhe ndërmarrjet ose shoqëritë tregtare shtetërore. Kriteret, procedurat dhe mënyrat e dhënies me qira, enfiteozë apo me kontrata të tjera, të parashikuara në legjislacionin në fuqi, të pronës shtetërore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 6
Dispozita kalimtare

Të gjitha procedurat e privatizimit, të filluara të vazhdojnë sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin në fuqi para hyrjes në fuqi të tij, të këtij akti normativ.

Neni 7

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë.

 K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›