AKU Shkodër kryen inspektime për garantimin e sigurisë ushqimore për festat e fundvitit

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit Rajoni Shkodër, ka shtuar inspektimet dhe monitorimet në subjektet e tregtimit dhe përpunimit të mishit, supermarket dhe tregjet ushqimore. Objekt i kontrolleve janë kushtet higjieno-sanitare, kushtet e magazinimit dhe tregtimit të produkteve ushqimore.
“Jemi në një subjekt përpunim mishi, ku vazhdon monitorimi në 33 subjekte që ka qarku i Shkodrës. Po ashtu dhe subjektet e tjera që janë marketet, restorantet ku ka fluks të shtuar te numrit të konsumatorëve dhe do të jemi 24 orë në punë për ti shërbyer qytetarëve për ti ofruar që konsumi i ushqimeve të jetë brenda të gjitha parametrave”, u shpreh Drejtori i AKU Rajoni Shkodër, Ramir Haderi.
Të dhënat për vitin 2024 në këtë qark flasin për masa paralajmëruese, për dhjetëra biznese për plotësimin e kushteve dhe gjobitjen në rast përsëritje të shkeljeve.
“Deri në këto momente nuk kemi pasur asnjë shkelje administrative përveç masave paralajmëruese. Është një afat kohor 2 javor që ja kemi lënë disa subjekteve. Monitorimet do të vazhdojnë, kontrollet do të vazhdojnë”, u shpreh Ramir Haderi.
AKU Shkodër informon se kontrollet do të vijojnë në qytet dhe në njësitë administrative, në mbrojtje të shëndetit të konsumatorëve.
Gazetar: M. Rakaj
/RTSH/