Atentati në Vlorë, 30-vjeçari Hajrulla dërgohet te Trauma. Gjenden 2 kallashnikovët e autorëve

Kejvin Hajrulla, 30 vjeç, i cili mbeti i plagosur gjatë një atentati mbrëmjen e djeshme në Vlorë, është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar për shkak të gjendjes së rëndë.
30-vjeçari, kushëriri i të fortit të Vlorës Inez Hajrulla, ka pësuar dëmtime të rënda në zorrë, ndërkohë që burime nga spitali bëjnë me dije që parametrat jetësor janë stabilizuar.
Ndaj Kejvin Hajrullës është qëlluar me breshëri kallashnikovi sapo ka zbritur nga mjeti i tij tip “Benz”, ndërsa nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, Armand Spahiu, 35 vjeç. Aktualisht Spahiu është stabilizuar dhe është në gjendje të vetëdijshme në spitalin e Vlorës.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të zonës dhe ka kryer kontrolle në disa banesa, por deri tani nuk ka asnjë gjurmë të autorëve.
Automjeti i përdorur nga autorët u gjet i djegur në zonën e Panajasë, ndërsa brenda tij ishin edhe dy armët kallashnikov të përdorur gjatë atentatit. Sipas policisë gjetja e gjurmëve të ADN-së në armë rezulton e vështirë për shkak të djegies.
Për ngjarjen janë shoqëruar për të dhënë deklarime 15 persona, ndërsa mbi 50 gëzhoja janë gjetur në vendngjarje që janë shkrepur ndaj Kejvin Hajrullës nga 2 kallashnikovët. Policia dyshon se ishin 3 autorë, dy që hapën zjarr dhe një tjetër që drejtonte mjetin.
Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e motiveve të atentatit.
/rtsh.al/