E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKZ dhe PBDNJ kundër ndryshimit të KQZ-së

Gazeta Shqip

Reagimet

Aleanca Kuqezi dhe PBDNJ-ja kanë kundërshtuar fuqishëm ndryshimin e KQZ-së nga ana e mazhorancës. Në një deklaratë të AKZ-së, theksohet se kambana e alarmit për mungesën e zgjedhjeve të lira dhe demokratike ka rënë prej kohësh, ndërsa tani gjithçka është kthyer në realitet dhe kasapi i votës së lirë është hedhur me të katërta duart në planin për grabitjen e votave për të mbajtur me çdo kusht pushtetin e kalbur. Vendi rrezikon tashmë jo vetëm respektimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, por shtetasi Sali Berisha po tenton të rikthejë sistemin diktatorial ku opozita është fiktive dhe jo reale në përpjekjen e saj për të ndaluar shkatërrimin e proceseve demokratike dhe të lira të zgjedhjeve. Ndërkaq, PDNJ-ja theksoi se falënderojmë përfaqësuesit e Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe OSBE-së, në vendin tonë, për vëmendjen e kushtuar dhe këshillat e dhëna, për moscenimin e autoritetit të KQZ-së dhe humbjen e besimit të votuesve në zgjedhjet e 23 qershorit. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, i konsideron ato kontribut të çmuar për respektimin e shtetit ligjor, për funksionimin e një demokracie të shëndetshme dhe domosdoshmëri për zhvillimin e zgjedhjeve të pakontestueshme të 23 qershorit.

Qëndrimet

Muho: Unë jo partizan, por mbrojtës i ligjit

Meta: LSI, një forcë që respekton marrëveshjet

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dje nga Kopliku, se partia që ai drejton do të jetë gjithmonë në mbrojtje të shqiptarëve dhe 23 qershori do të jetë dita e tyre. Në një takim me banorë të këtij qyteti, Meta u shpreh se ekuilibrimi i pushteteve është në të mirë të demokracisë. “Jemi konfirmuar si një forcë bashkëpunuese dhe që respekton marrëveshjet. Në çdo kohë kemi marrë vendimet më të drejta. Ekuilibri i pushteteve është garanci për demokracinë. LSI-ja ka dhënë kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe vendimet tona në shërbim të së ardhmes”, u shpreh Meta. Ndërkaq, anëtari i LSI-së në KQZ, Ilirian Muho, deklaroi se ai nuk ka qenë një partizan, por një përfaqësues ligjor në KQZ. Nuk më intereson se çfarë do të bëjë Kuvendi, ajo që më intereson është zbatimi i ligjit, zbatimi i Kodit Zgjedhor. Unë jam në detyrë, vazhdoj të kryej detyrën, jam nën betim”, deklaroi Muho. Ai kujton votën pro heqjes së një mandati në Berat, në kohën kur shpërndarja e deputetëve nëpër qarqe ishte një çështje e nxehtë në KQZ dhe kundërshtohej nga LSI-ja, kur thotë se në ushtrimin e detyrës së tij u ka qëndruar larg ngjyrave të partisë që e propozoi. “Nuk jam përfaqësues i LSI-së në KQZ, jam përfaqësues i grupimeve të partive të opozitës dhe ajo që më udhëheq në punën time është ligji dhe vetëm ligji”, u shpreh Muho. Ai shton se KQZ-ja nuk i ka dërguar ndonjë kërkesë për shkarkimin tim. KQZ-ja nuk është mbledhur për të konstatuar ndonjë shkelje nga unë në veprimtarinë time dhe për sa kohë që nuk ka një kërkesë të tillë, mbetem absolutisht i befasuar, sepse procedura e shkarkimit të anëtarit të KQZ-së është një procedurë e përcaktuar në mënyrë rigoroze në Kodin Zgjedhor”, deklaroi Muho.

AKZ dhe PBDNJ kundër ndryshimit të KQZ-së burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›