ALQU certifikon zgjedhjet e 8 majit: Plotësuan standardet e Bashkimit Europian
Nuk është shaka kjo. ALQU ka vendosur ti quajë zgjedhjet e tetë majit në përputhje jo me standardet ndërkombëtare, por na ka afruar, duke thënë se plotësuan standardet e BE. Ky është lajmi i parë në mediat e qeverisë, e cila është e etur për të marrë një vlerësim pozitiv për zgjedhjet skandaloze. Dhe për këtë ka gjetur ALQU-n. Po çfarë është ALQU? Dihet se është krijuar para disa muajsh dhe është një OJQ me emrin Unioni Shqiptar për Cilësinë e Jetës, në anglisht ALQU. Në faqen e tyre zyrtar spikat direkt emri i një pronari universiteti privat, që është anëtar nderi i ALQU. Nuk ka shumë informacione për të, por dihet që ka vëzhguar zgjedhjet. Nuk është pjesë e Koalicionit të Vëzhguesve Vendore, që me donacionet e USAID bënë një punë të mirë këto zgjedhje dhe morën dhe vlerësimin e SHBA. Nuk ka lidhje as me Komitetin Shqiptar të Helsinkit. Është një grumbull njerëzish që vegjetojnë me fonde qeverie në atë pellg që e quajnë shoqëri civile. I kryeson një eksponent i LSI, i quajtur Edmond Stojku, dikur kandidat i saj. Kjo është një përpjekje e dëshpëruar e qeverisë për të vlerësuar vetë zgjedhjet, të cilat sipas të gjitha gjasave do marrin një nga vlerësimet më të ashpra ndonjëherë nga OSBE/ODIHR. Sa për kujtesë, raporti i tyre i ndërmjetëm, ishte një bombë për standardet zgjedhore. E po mjaftohemi me kaq dhe nuk po përmendim deklaratat pa dorashka të zyrtarëve të lartë të BE e SHBA për vendimin e KQZ e Kolegjit, të cilin ALQU e quan pozitiv. Gjithashtu është një tentativë e qeverisë për të ndërhyrë tek shoqëria civile, e cila edhe me kaq është shumë e brishtë. Por të paktën këto zgjedhje tentoi të ishte kritike për standardet, duke qëndruar në të njëjtën linjë me ndërkombëtarët.