AMC, luftë për të bllokuar procesin e portabilitetit të numrave
Seanca Dëgjimore e AKEP, zhvilluar ditën e djeshme me grupet e interesit por pa praninë e mediave, tregoi se interesi i kompanive telefonike të vjetra në treg është vonimi dhe ngadalësimi i procesit të dhënies së mundësisë së konsumatorëve shqiptarë që të gëzojnë të drejtën për tu bërë pronarë të numrit të tyre ashtu si në të gjithë vendet e Europës dhe rajonit.
Një nga kompanitë që ka bërë luftën më të madhe për zvarritjen e këtij procesi është AMC, e më pas Vodafon. Ky proces mbahet peng nga korrupsioni i zyrtarëve shqiptarë, të cilët e kanë zvarritur pafundësisht, duke i shërbyer me devotshmëri AMC, e cila është kompania më e pa interesuar në këtë mes. Ky fakt u konfirmua dje përveç të tjerash dhe nga censura e AKEP ndaj gazetës Sot, gazetarja e së cilës nuk u lejua që të ndiqte seancën dëgjimore për portabilitetin e numrit, pasi kompanitë celulare nuk donin publikimin e këtij problemi në media. Dje në seancë ishin të ftuar përfaqësuesit e kompanive AMC, Vodafon, Eagle, AL04 (që ska hyrë ende në treg), Albtelekom, dhe shoqatat e operatorëve telefonikë ruralë. Po ashtu i ftuar në emër të konsumatorëve ishte edhe përfaqësuesi i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve i cili që në fillim kur mori fjalën kërkoi sqarime se pse u përjashtua gazetarja e Gazetës Sot. Sipas pretendimeve të kompanive celulare, qëndrimet ishin të ndryshme sepse sa më e vjetër të ishte kompania në treg në kuptimin kronologjik, aq më shumë kërkohej vonimi dhe ngadalësimi i procesit dhe rritja e kostove të transferimit. Ndërkohë që kompanitë e reja celulare si Eagle dhe për më tepër AL04, ishin të interesuara për një proces transferimi sa më të shpejtë dhe me kosto 0. Ndërsa operatorët ruralë kërkuan që procesi i portabilitetit të numrit të ndahej në dy faza, veç për shërbimet celulare dhe veç për telefoninë fikse, propozim që u hodh poshtë nga drejtuesit e AKEP. Kryetari i AKEP, Piro Xhixho deklaroi se procesi do të vazhdojë por nuk do të zgjatet pafundësisht pasi AKEP po përpiqet që të realizojë këtë proces deri në finalizim të shërbimit brenda vitit 2010 dhe se për të një politikë sa më objektive ishin kontraktuar kompani të pavarura për të realizuar procesin dhe kjo për fat të mirë ishte pranuar edhe nga kompanitë telefonike. Po ashtu një pjesë e pretendimeve të konsumatorëve reflektoheshin në rishikimin e dokumentit rregullator dhe se palët ishin të ftuara që të sillnin vërejtjet dhe propozimet e tyre edhe pranë AKEP me shkrim. Në emër të AKEP, Z. Xhixho deklaroi se kjo seancë shënonte një hap më tej në përshpejtimin dhe avancimin e procesit deri në finalizimin e një shërbimi të standardeve evropiane.
Reagimi i Av. Altin Goxhaj për portabilitetin e numrit
Përfaqësuesi i konsumatorëve, Avokat Altin Goxhaj, reagoi ndaj procesit të portabilitetit të numrit duke kërkuar që çështja duhej trajtuar në bazë të principeve të së drejtës private ku themeli i ndryshimit që ofronte portabiliteti ishte një ndryshim thelbësor dhe strukturor i të gjithë marrëdhënies së kompanive me abonentin pasi me hyrjen në fuqi të portabilitetit të numrit kemi ndryshimin bazë të pronësisë midis palëve pasi pas këtij ndryshimi pronar i numrit nuk ishte më kompania telefonike por abonenti dhe që nga ky moment konsumatori përjashtohej nga detyrime dhe kosto financiare për transferimin e numrit pasi ky numër ishte pronë private e tij. Në bazë të kësaj logjike juridike të së drejtës private dhe të së drejtës së pronësisë, konsumatori nuk ka asnjë detyrim të paguajë ndonjë taksë për këtë qëllim për kompaninë nga e cila do të shkëputej, pasi pronësia mbi numrin shmangte çdo detyrim të këtij lloji. Po ashtu sipas Goxhaj, vetë procesi i transferimit nuk mund ti faturohej si në kosto dhe në angazhime konsumatorit pasi ky mbetej detyrim i dy kompanive, kompanisë dhënëse dhe kompanisë bartëse sipas termave të dokumentit rregullator, pasi kjo e dyta ishte e interesuar dhe mbi të gjitha kishte kapacitetin e duhur për këtë qëllim. Në lidhje me afatet kohorë, përfaqësuesi i konsumatorëve pretendoi se vështirësitë qëndronin në kohën tranzitore nga hyrja në fuqi e dokumentit deri në hyrjen në fuqi të transferimit për të gjithë sepse pastaj nuk kishte më probleme dhe abonentit duhej ti garantohej transferimi brenda 24 orësh, kohë e mjaftueshme kjo për të kryer procesin midis dy kompanive. Po ashtu, detyrimet e prapambetura të njërës kompani nuk mund të ishin pengesë për transferimin pasi duke qenë se numri i telefonit është pronë private e abonentit atëherë ai nuk mund të penalizohej me bllokimin e numrit por çështja duhej zgjidhje në bazë të detyrimeve kontraktuale midis palëve deri në gjykatë civile po të ishte nevoja. Nga ana tjetër portabiliteti i numrit duhej të reflektohej edhe në marrëdhëniet kontraktuale midis palëve duke u reflektuar në kontratat e reja tip. Meqenëse shumica e abonentëve nuk mund ti përgjigjeshin objektivisht rinovimit të kontratave aktuale, atëherë duhej që AKEP të nxirrte një dokument rregullator detyrues i cili të ndërhynte në lirinë kontraktuale të palëve dhe të sanksiononte kushtet e reja kontraktuale për abonentët dhe kompanitë si një zgjidhje me efekt të menjëhershëm në përgjigje të kushteve të reja. Po ashtu, AKEP njëkohësisht me vendosjen e portabilitetit të numrit duhej që të ndërhynte me një dokument rregullator për të rregulluar tregun e reklamave midis kompanive për të bërë më të prekshëm për konsumatorët dhe në standard krahasues çmimet dhe ofertat e të gjitha kompanive telefonike në mënyrë që konsumatori të zgjidhte midis asaj që i interesonte më shumë. Kjo dokument rregullator do të sillte edhe ndërprerje të luftës shterpë të ngjyrave në reklamat e kompanive, një luftë çoroditëse për konsumatorët duke iu shmangur informacionit utililitar mbi çmimet dhe mundësitë reale në treg. Kjo ndërhyrje sipas Avokatit të Konsumatorëve do të mundësonte një treg realisht kompetitiv duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e çmimeve të larta pasi konsumatori tashmë do të ketë të gjithë avantazhet e duhura për të mos mbetur peng i një kompanie për të ruajtur numrin pasi në çdo moment mund të zgjidhte kompaninë më të përshtatshme. Sipas Avokat Goxhaj, portabiliteti i numrit është një revolucion i vërtetë në favor të konsumatorëve pasi kjo do të sillte ulje të menjëhershme çmimesh, konkurencë më të drejtë, avantazhe të vërteta dhe mbi të gjitha transparencë të plotë që do të përjashtonte uljen e çmimeve reale në treg.
Çfarë është portabiliteti i numrit
Portabiliteti i numrit është kalimi i pronësisë së numrit nga kompania telefonike drejt abonentit çka do të thotë që konsumatori mund të ndërrojë sa herë të dojë kompanitë por numrin e mbart gjithmonë me vete. Ky është një standard i detyruar i kërkuar nga BE.
10 Përkufizime të Projekt-rregullores për portabilitetin e numrit
Në këtë rregullore termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. Operator është një sipërmarrës, që ofron ose që është i autorizuar të ofrojë një rrjet të komunikimeve elektronike ose pajisjeve shoqëruese;
2. Pajtimtar është cilido që ka lidhur një kontratë me parapagesë ose post-paid me një operator që ofron shërbime të komunikimeve elektronike, të disponueshme për publikun, për përfitimin e shërbimeve të ofruara.
3. Operator dhënës është operatori në rrjetin e të cilit numri i bartur është vendosur para bartjes;
4. Operatori marrës është operatori në rrjetin e të cilit numri i bartur është vendosur pas bartjes;
5. Bartje është akti i transferimit të numrit të një pajtimtari nga rrjeti i operatorit dhënës në rrjetin e operatorit marrës;
6. Eksportim është procedura që ndërmerr operatori dhënës në mënyrë që të mundësojë bartjen e numrit nga rrjeti i tij në rrjetin e operatorit marrës;
7. Importim është procedura që ndërmerr operatori marrës në mënyrë që të mundësojë bartjen e numrit nga rrjeti i operatorit dhënës në rrjetin e tij;
8. Numër gjeografik është një numër kombëtar, i cili i përket një rajoni gjeografik të caktuar siç është