E Enjte, 5 Nëntor 2026

AMF: Primet për sigurimin e jetës, rritje me 16.5 %

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Primet e sigurimit vullnetar gjatë periudhës janar – prill 2024 arritën rreth 3 miliardë lekë, duke shënuar një rënie me 5.15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Sipas raportit të publikuar së fundmi nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), ndërsa primet ranë, numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 2.31 %, krahasuar me periudhën janar-prill 2023.

Rritje gjatë kësaj periudhe njohën sigurimet për jetën.

Referuar raportit primet nga sigurimet e jetës gjatë periudhës janar – prill 2024, arritën rreth 660 milionë lekë, ose 16.49% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë muajit janar – prill 2024, patën një ulje me 9.94% kundrejt muajit janar – prill 2023.

Në portofolat e “pronës, përgjegjësive, garancive”, të cilat gjatë muajit janar – prill 2024 siguruan mbi 1.2 miliardë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë sigurimi nga “zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë” me rreth 66.21%, të pasuara nga sigurimi i “përgjegjësisë së përgjithshme” me 24.30% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga “zjarri dhe forcat e natyrës”, gjatë periudhës janar – prill 2024, vihet re një ulje prej 34.55% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 3.86% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar – prill 2023.

Të ardhurat nga sigurimet e “aksidenteve dhe shëndetit”, gjatë periudhës janar – prill 2024, arritën në rreth 509 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 20.54% në krahasim me periudhën janar – prill 2023.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›