E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

AMF: Tregu i sigurimeve u rrit me 13% në 6 mujorin e parë

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), tregu i sigurimeve u rrit me pothuajse 13% për gjysmën e parë të këtij viti. 
Primet e shkruara bruto për 6-mujorin e parë arritën vlerën e 11 miliardë lekëve. 

Rritja e tregut reflektoi një bazë të gjerë rritje për shumicën e klasave të sigurimit në tregjet e jetës dhe të Jo-Jetës.

Tregu i sigurimit të jetës edhe për 6-mujorin shfaqi ritmet më të larta të rritjes, me 21.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. 
Pesha e segmentit të jetës ka arritur në 8.1% të volumit total të tregut, nga rreth 7.6% që ishte vitin e kaluar. 

Tregu i Jetës ngelet i dominuar nga produkti i sigurimit të Jetës së Debitorit, me afërsisht 70% të primeve të shkruara bruto. Ky është një produkt i lidhur kryesisht me sigurimin e jetës së kredimarrësve, si kusht i vendosur nga bankat apo institucionet financiare të kredidhënies.

Tregu më i madh, ai i sigurimeve të Jo-Jetës, për gjysmën e parë të këtij viti arriti një volum të përgjithshëm prej 10.1 miliardë lekësh, në rritje me 12.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të gjitha klasat kryesore të sigurimit kanë rezultuar në rritje, me përjashtim të sigurimit të shëndetit.

Produkti kryesor i sigurimit vullnetar, ai ndaj zjarrit dhe forcave të natyrës, shënoi rritje me 22% krahasuar me 6-mujorin 2022, ndërsa sigurimet ndaj dëmtimeve të tjera në pronë shënuan një rritje me pothuajse 33%. 

Mes produkteve të tjera vullnetare, rritje të lartë shfaqi edhe sigurimi KASKO i mjeteve tokësore, me 22%. Rritja e këtij produkti reflekton edhe zgjerimin e biznesit të makinave me qira, edhe falë ecurisë së mirë të turizmit në vend.

Megjithatë, produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik ngelen dukshëm dominuese në tregun e Jo-Jetës, me pothuajse 60% të primeve të shkruara bruto. Pesha e tyre specifike ka rënë sidoqoftë nga niveli prej 62.5% i vitit të kaluar. Tregu i këtyre produkteve u rrit me 7.5% krahasuar me një vit më parë. Rritjen më të lartë e shfaq sigurimi i brendshëm TPL, me 7.9%, ndërsa rritja më e ngadaltë është në produktin e Kartonit Jeshil, me 5.5%.

Këtë vit struktura e dëmeve po dominohet edhe më shumë nga sigurimet e detyrueshme motorike, me 66.5% të totalit, nga 62% që përbënin një vit më parë. Kjo ka ardhur si nga rritja e dëmeve në këto klasa, me 10.7%, ashtu edhe nga rënia e dëmeve të paguara në disa klasa të sigurimeve vullnetare. Rënia ka qenë veçanërisht e theksuar në sigurimin e pronës nga katastrofat, ku dëmet e paguara kanë rënë me pothuajse 73% krahasuar me një vit më parë.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›