E Hënë, 2 Nëntor 2026

AMP arreston katër punonjës të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria Rajonale Shkodër – Lezhë) arrestoi në flagrancë katër punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.

AMP njoftoi se pas marrjes së informacionit se shtetasi Hasan Verracaku, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, nuk është konstatuar në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje dhe në ruajtje, specialistët e AMP-së kryen veprimet hetimore dhe procedurale përkatëse, në përfundim të të cilave u bë arrestimi në flagrancë, i punonjësve të policisë: Inspektor Dorjan Hasandoçaj; Inspektor Gentian Xhanari; Inspektor Dioniz Hotaj; Punonjësit Ridvan Zefi, me detyrë pranë Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër

Ndërkohë shtetasi Hasan Verracaku dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, duke thyer kushtet e masës së sigurisë të caktuar me vendim gjykate.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet plotësisht e angazhuar në mbrojtjen e ligjit, integritetit institucional dhe besimit të qytetarëve tek institucionet e sigurisë.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›