AMP arreston policin, shkaktoi aksident pasi kishte konsumuar alkool

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore arrestoi në flagrancë punonjësin e policisë I. Q., me detyrë trupë shërbimi në repartin e sigurisë dhe ceremonialit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt” parashikuar në nenin 291 të Kodit Penal.
Arrestimi u krye nga sektori i Mbikëqyrjes për Strukturat e Veçanta në Drejtorinë e Hetimit) pasi gjatë drejtimit të automjetit, policia ka goditur nga pas një automjet tjetër, ku për pasojë është dëmtuar shtetasja P. K., e cila është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga verifikimi me testin matës së alkoolit ka rezultuar pozitiv në masën 0.94 mg/l.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave.