AMSTERDAM – Holanda shpall ministrat izraelitë të ekstremit të djathtë “persona non grata”

AMSTERDAM, 10 shtator /ATSH-AA/ – Holanda shpalli dy ministra ekstremistë izraelitë “persona non grata” për nxitje të dhunës kundër palestinezëve, raportoi media izraelite.
Sipas transmetuesit publik të Izraelit, KAN, ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir dhe ministrit të Financave, Bezalel Smotrich iu ndalua hyrja në Zonën Schengen, e cila përfshin 25 vende të Bashkimit Evropian (BE) dhe 4 vende joanëtare të BE-së, Islandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Lihtenshtejnin.
Autoritetet holandeze nuk kanë dhënë asnjë konfirmim zyrtar në lidhje me raportin e medias izraelite.
Në qershor, Holanda shprehu qëllimin e saj për të vendosur një ndalim hyrjeje për dy ministrat izraelitë./ /os/