ANALIZ˖ Zelensky kërkon mbështetje nga Trump mes përshkallëzimit të luftës në Ukrainë

LONDËR, 16 tetor /ATSH/ – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, takohet nesër me presidentin amerikan Donald Trump për të kërkuar më shumë mbështetje ushtarake, në një kohë kur Kievi dhe Moska po përshkallëzojnë luftën me sulme masive ndaj sistemeve energjetike dhe NATO po has vështirësi t’u përgjigjet një vale shkeljesh ajrore, sipas “Reuters”.
Që nga samiti i Trump me presidentin rus Vladimir Putin në gusht, i cili nuk solli ndonjë përparim në përpjekjet amerikane për paqe, Kievi ka goditur rafineritë ruse të naftës me dronë, ndërsa sulmet ruse kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë në gjithë Ukrainën.
Krahu lindor i NATO-s është gjithashtu në tension pasi Polonia dhe Estonia raportuan se Rusia kishte shkelur hapësirën e tyre ajrore me dronë dhe avionë muajin e kaluar , diçka që Moska e mohoi. Prej atëherë janë raportuar incidente të tjera me dronë në Gjermani dhe Danimarkë.
Një ish-zyrtar i lartë ukrainas tha se si Rusia ashtu edhe Ukraina po përpiqen të rrisin presionin dhe të përmirësojnë pozicionin e tyre përpara ndonjë dritareje të re negociatash, duke shtuar se të dyja palët nuk kanë burime për të mbajtur këtë intensitet për shumë gjatë.
“Mendoj se edhe dy muaj janë mjaft për këtë raund përshkallëzimi”, tha burimi, i cili kërkoi të mos indetifikohej.
Zelenski pritet, ndër të tjera, t’i kërkojë Trump-it raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi “Tomahawk**, që do ta vendosnin Moskën dhe qytete të tjera të mëdha ruse brenda rrezes së zjarrit nga Ukraina.
Presidenti Trump ka thënë se mund t’i furnizojë këto armë nëse Putin nuk pranon të ulet në tryezën e bisedimeve.
Ndërkohë, Rusia po përpiqet të” ringjallë vrullin” në marrëdhëniet SHBA-Rusi, të humbur pas samitit të Alaskës, duke theksuar “vlerat e përbashkëta”, por njëkohësisht duke paralajmëruar një reagim të ashpër ndaj çdo veprimi amerikan që mund ta dëmtojë.
SHPRESA PAS GAZËS
Qëndrimi i presidentit Trump ndaj Ukrainës ndryshoi muajin e kaluar, pasi ai shprehu zhgënjim ndaj Putinit për mungesën e përparimit drejt një marrëveshjeje paqeje.
Pasi kishte sugjeruar më herët që Kievi të jepte territor për të arritur një marrëveshje, Trump më vonë tha se ushtria ukrainase ishte e aftë të dëbonte forcat ruse nga e gjithë territori dhe e talli Rusinë duke e quajtur “tigër prej letre”.
Ai gjithashtu lavdëroi ukrainasit,një ndryshim i habitshëm toni vetëm gjashtë muaj pasi ai dhe Zelenski kishin pasur një përplasje publike në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, shumë ukrainas e pritën ndryshimin me skepticizëm, duke dyshuar se do të pasohej nga veprime konkrete.
Një zyrtar i lartë në Kiev tha gjithashtu se Ukraina shpreson që armëpushimi në Gaza të rigjallërojë përpjekjet e Trump për paqe në Ukrainë dhe ta përqendrojë më shumë vëmendjen e tij në përfundimin e luftës me Rusinë.
Këshilltari presidencial Mykhailo Podolyak tha se një delegacion i zyrtarëve të lartë ukrainas ndodhej në Uashington përpara vizitës së Zelenskit për t’u paraqitur zyrtarëve amerikanë një “strategji për të rritur koston e luftës për Rusinë”.
“Mjetet janë të njohura: raketa me rreze te gjaëa veprimi , prodhim i përbashkët i dronëve dhe forcim i mbrojtjes ajrore”, shkroi ai në platformën X. “Duam paqe, prandaj duhet të projektojmë forcë në zemrën e Rusisë”.
Marrëveshja gjigante
Megjithë ndryshimin e qëndrimit të Trump, presidenti amerikan ende nuk është zotuar për furnizime të reja armësh për Ukrainën, por po mbikëqyr krijimin e një mekanizmi të ri të quajtur”PURL”, që u mundëson aleatëve të Uashingtonit të blejnë armë amerikane për t’ia dorëzuar Ukrainës.
Në selinë e NATO-s në Bruksel të, sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth paralajmëroi dje për “kosto ndaj Rusisë për agresionin e saj të vazhdueshëm” dhe i nxiti aleatët e Kievit të shtojnë blerjet përmes “PURL”.
Trump dhe Zelenski mund të diskutojnë gjithashtu finalizimin e një marrëveshjeje që do të lejonte Ukrainën të ndajë teknologji dronësh me Shtetet e Bashkuara, një nga disa marrëveshjet që do t’i jepnin Trump-it një rol më të madh në mbijetesën e Ukrainës.
Zelenski sugjeroi këtë javë që raketat “Tomahawk” mund t’i jepen Ukrainës si pjesë e një marrëveshjeje gjigante” (“Mega Deal”) që ai përmendi muajin e kaluar për të siguruar 90 miliardë dollarë armë amerikane. /Ad.Ab./