E Diel, 1 Nëntor 2026

ANALIZË – Evropa planifikon lëvizjen e radhës në takimin e sigurisë në Mynih, ndërsa marrëdhëniet me SHBA-në përkeqësohen

MYNIH, 11 shkurt /ATSH-DPA/- Një vit më parë, JD Vance i habiti aleatët evropianë me një fjalim të ashpër që paralajmëroi per një epokë të re të trazuar në lidhjet transatlantike.

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, më pak se një muaj pas kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, zëvendëspresidenti amerikan u përplas me BE-në për “gjoja” censurimin e fjalës së lirë.

Ai akuzoi qeveritë për hapjen e “portave” për migrimin masiv dhe paralajmëroi se kërcënimi më i madh i Evropës nuk vinte nga agresioni rus, por “nga brenda”.

Pas fjalimit ideologjik 20-minutësh të Vance, shumë njerëz u larguan nga salla duke vënë në pikëpyetje jo vetëm të ardhmen e aleancës, por edhe nëse ajo do të mbijetonte në katër vitet e ardhshme.

“Ishte një tronditje”, tha Astrid Chevreuil, një bashkëpunëtore në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Uashington.

“Armiqësia e hapur, Shkatërroi çdo iluzion të mbetur duke sinjalizuar qasjen transaksionale, dhe ndonjëherë edhe shantazhiste, të administratës aktuale ndaj punëve të jashtme”, tha ajo.

“Pres që evropianët të mbrojnë veten të premten, në konferencën e këtij viti, në qytetin jugor gjerman”, tha Chevreuil.

Kjo atmosferë u pasqyrua në raportin vjetor të sigurisë globale të konferencës të publikuar këtë javë, i cili paralajmëron hapur se “politika shkatërruese” e Trump po shkatërron rendin ndërkombëtar të begatë të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore.

Edicioni i 62-të i forumit treditor do të presë rreth 60 udhëheqës botërorë, 100 ministra të Mbrojtjes dhe të Jashtëm, dhe një mori gjeneralësh, diplomatësh, ligjvënësish dhe ekspertësh të politikave që do të udhëtojnë në Mynih, një traditë që daton që nga viti 1963.

Midis pjesëmarrësve janë presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik Keir Starmer, kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe kryeministri polak Donald Tusk, së bashku me zyrtarë të lartë të BE-së dhe NATO-s.

Këtë herë, do të jetë sekretari amerikan i Shtetit dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare Marco Rubio që do të flasë në emër të administratës Trump.

Rubio është treguar një lajmëtar i rafinuar për axhendën “Amerika e Para”, por nuk e ka përqafuar stilin provokues dhe konfrontues që përcaktoi fjalimin e Vance – duke sugjeruar që “bombat retorike” ka të ngjarë të jenë më të kufizuara.

Në vend të kësaj, fokusi do të jetë në mënyrën se si ndërmjetësit e fuqisë së Evropës planifikojnë të kundërpërgjigjen.

Pas një viti në të cilin Trump vendosi tarifa të larta për Evropën, ndoqi një marrëdhënie më të ngrohtë me presidentin rus Vladimir Putin, shfaqi një Strategji të Sigurisë Kombëtare – duke shprehur shqetesimin se Evropa përballej me “fshirjen e qytetërimit” për shkak të politikave të saj të migracionit dhe ndërmori një hap agresiv për të përvetësuar Groenlandën.

Pyetja me të cilën përballen udhëheqësit në Mynih është se deri në çfarë mase janë të përgatitur të hartojnë kursin e tyre, një kurs më të pavarur nga Uashingtoni.

Macron ka qenë një nga zërat më të zhurmshëm që ka promovuar një vizion të një rendi të ardhshëm evropian që nuk varet nga ombrella e sigurisë amerikane.

“Ne duhet ta mendojmë Evropën si një fuqi që e krijojmë së bashku. Ne duhet të jemi në gjendje të mbrohemi nga pjesa tjetër e botës. Ne duhet të përpiqemi të përhapim modelin tonë”, tha ai në një intervistë këtë javë.

Merz e ka përsëritur gjithnjë e më shumë këtë mesazh, duke paralajmëruar audiencën në Davos, muajin e kaluar se bota kishte hyrë në një epokë më të ashpër të “politikës së fuqive të mëdha” dhe se BE-ja duhej të vepronte shpejt ose rrezikonte të binte në mëshirën e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dy fjalët që jehojnë nëpër korridoret e pushtetit nga Brukseli në Varshavë – dhe përhapen në dokumente të panumërta politikash të grupeve të ekspertëve – janë “autonomi strategjike”.

Kjo përfshin sigurimin e zinxhirëve të furnizimit për lëndët e para dhe teknologji kritike si gjysmëpërçuesit, bashkimin e prokurimit të mbrojtjes dhe shpenzime më të mëdha në vend që të mbështeten në kompanitë e vendeve jo anëtare të BE-së, dhe arritjen e marrëveshjeve tregtare që i japin Evropës kontroll më të madh mbi të ardhmen e saj ekonomike.

Gjithashtu, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania po diskutojnë perspektivën e një ombrelle bërthamore evropiane.

Wolfgang Ischinger, diplomati veteran gjerman dhe kryetar i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, po i kërkon Evropës të përdorë më shumë arsenalet bërthamore franceze dhe britanike si një pengesë, megjithëse ai do të donte që ato të qëndronin brenda kornizës ekzistuese të NATO-s.

Një veprim i tillë, ai tha se do t’u dërgonte një sinjal vetëpohimi evropian rusëve, amerikanëve dhe kinezëve.

Ka dalë në pah një konsensus i gjerë se lëvdatat, zbutjet ose shpresa se drama thjesht do të kalojë nuk janë më strategji të zbatueshme – as për menaxhimin e krizës, as për planifikimin afatgjatë.

“Evropianët, mendoj, kanë mësuar se nuk duhet të jenë naivë në lidhje me qëllimin e administratës”, tha Chevreuil, e cila ka punuar në Shërbimin e Jashtëm Francez për çështje bërthamore që lidhen me NATO-n dhe Rusinë.

Pergjigja ndaj përpjekjes së Trump për marrjen e kontrollit të Groenlandës – një episod që rriti frikën se kjo mund të shkatërronte NATO-n – tregoi se ata kanë fuqinë për të vepruar në unitet, “të vendosin vija të kuqe” dhe t’i kujtojnë Uashingtonit se edhe një aleancë e vjetër mund t’u shërbejë ende interesave të SHBA-së. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›