FOKUS – Emiri i Katarit dhe Trump diskutojnë për uljen e tensioneve, ndërsa SHBA-ja dhe Irani ndjekin diplomacinë

DOHA, 11 shkurt /ATSH/- Emiri i Katarit, Sheikh Tamim Hamad al-Thani, dhe presidenti i SHBA-së Donald Trump diskutuan përpjekjet për uljen e tensioneve dhe stabilitetin rajonal në një bisedë telefonike, ndërsa Uashingtoni dhe Teherani kërkojnë zgjidhje diplomatike për programin bërthamor të Iranit, sipas “Reuters”.
Telefonata vjen përpara një takimi midis presidentit amerikan, Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Netanyahu pritet t’i kërkojë udhëheqësit amerikan të zgjerojë bisedimet e SHBA-së me Iranin për të përfshirë kufizimet e arsenalit raketor të Teheranit dhe kërcënime të tjera të sigurisë përtej programit të tij bërthamor.
Katari është angazhuar në përpjekje diplomatike me aleatët rajonalë për të lehtësuar tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit – për të shmangur kërcënimin e një përballjeje ushtarake midis kundërshtarëve të hershëm.
Ali Larijani, këshilltari i Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, mbërriti sot në Katar dhe pritet të takohet me emirin e Katarit, ndërsa Uashingtoni dhe Teherani përgatiten të rifillojnë negociatat.
Të dy vendet zhvilluan bisedime indirekte në Oman javën e kaluar, të cilat një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha se i kishin lejuar Teheranit të vlerësonte seriozitetin e Uashingtonit dhe kishin treguar konsensus të mjaftueshëm që diplomacia të vazhdonte.
Emiri i Katarit dhe Trump diskutuan mbështetjen e përpjekjeve diplomatike që synojnë adresimin e krizave përmes dialogut dhe mjeteve paqësore.
Doha ka qenë gjithashtu ndërmjetësuese midis Izraelit dhe Hamasit në luftën e Gazës, së bashku me SHBA-në dhe Egjiptin. //a.i/