E Diel, 1 Nëntor 2026

MADRID – Spanja njofton masa pas aksidenteve vdekjeprurëse hekurudhore

MADRID, 11 shkurt /ATSH-DPA/- Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka njoftuar masa për përmirësimin e sigurisë hekurudhore pak më shumë se tre javë pas një aksidenti vdekjeprurës hekurudhor që shkaktoi vdekjen e 46 personave.

Sánchez, duke folur sot në parlament, tha se ndërsa sistemi hekurudhor spanjoll nuk është perfekt, ai është “më i besueshmi” në BE dhe një nga më të mirët në botë.

Ai paralajmëroi për rrezikun e dezinformimit dhe përhapjes së panikut që pretendon se sistemi hekurudhor spanjoll është “i vjetëruar ose i pasigurt “.

Më 18 janar, dy trena me shpejtësi të lartë që udhëtonin në drejtime të kundërta u përplasën pranë Adamuz në rajonin jugor të Andaluzisë.

Dyzet e gjashtë persona vdiqën dhe më shumë se 120 të tjerë u plagosën. Një dëmtim strukturor në shinat hekurudhore dyshohet si shkaku i mundshëm.

Vetëm dy ditë më vonë, një mur mbajtës u shemb mbi shinat në Barcelonë dhe një tren udhëtarësh u përplas me mbeturinat.

Makinisti i trenit humbi jetën dhe dhjetëra pasagjerë u plagosën.

“Pas aksidenteve, frika nga udhëtimi me tren në Spanjë është rritur”, sipas sondazheve.

Lideri konservator i opozitës Alberto Núñez Feijóo tha sot në parlament se aksidentet mund të ishin shmangur. Në këtë kontekst, ai kërkoi dorëheqjen e Sánchez.

“Që kur mora detyrën në vitin 2018, numri i aksidenteve hekurudhore në Spanjë është ulur me 11%”, tha kryeministri socialist.

Në të njëjtën kohë, ai tha se investimet në infrastrukturën hekurudhore midis viteve 2018 dhe 2025 ishin pothuajse trefishuar krahasuar me periudhën midis viteve 2012 dhe 2018, nga 1,7 miliardë euro në 5 miliardë euro (2,02 miliardë dollarë deri në 5,95 miliardë dollarë).

Megjithatë, ai tha se ishte legjitime të vihej në dyshim niveli i investimeve. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›