ANALIZË – Negociatat SHBA–Iran dështojnë, Trump përballë zgjedhjes: përshkallëzim apo negociata

ISLAMABAD, 12 prill /ATSH/- Bisedimet mes delegacioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, në Pakistan përfunduan pa një marrëveshje, pas një raundi të gjatë negociatash intensive që u zhvilluan mes pritshmërive të larta dhe pasigurive fillestare, sipas BBC.
Ndërsa rrugët në Islamabad u boshatisën të premten dhe masat e sigurisë u shtuan ndjeshëm, ishte e paqartë nëse takimi do të zhvillohej.
Situata ndryshoi kur delegacioni iranian mbërriti gjatë natës dhe u prit nga ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, si dhe nga shefi i ushtrisë, Asim Munir.
Dje në mëngjes, të njëjtët zyrtarë pritën në aeroport edhe zëvendëspresidentin amerikan, JD Vance.
Takime të ndara dhe bisedime direkte
Fillimisht, të dy palët zhvilluan takime të ndara me përfaqësuesit pakistanezë.
Kryeministri i Pakistanit shprehu besimin se palët do të “angazhoheshin në mënyrë konstruktive”.
Më pas, sipas burimeve qeveritare pakistaneze dhe konfirmimit nga Shtëpia e Bardhë, nisën bisedimet tripalëshe ballë për ballë në Islamabad.
Negociata deri në orët e para të mëngjesit
Bisedimet vijuan gjatë gjithë natës me shumë pak informacion të dhënë për publikun.
Në orët e para të ditës së sotme, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit i cilësoi bisedimet si “intensive”, duke i bërë thirrje Uashingtonit të shmangë “kërkesat e tepruara dhe të paligjshme”.
Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se SHBA-ja i kishte bërë të qarta “vijat e kuqe”, por Irani nuk kishte pranuar kushtet e propozuara.
Pa një marrëveshje, por me sinjale të përziera
Vance e përshkroi rezultatin si “lajm të mirë dhe të keq”- pozitiv për faktin që pati diskutime thelbësore, por negativ për mungesën e një marrëveshjeje – të cilën ai e cilësoi si një lajm të keq për Iranin.
Kohëzgjatja e gjatë e këtij raundi negociatash u konsiderua e pazakontë, por jo e mjaftueshme për të arritur një kompromis.
Sipas analizave, SHBA-ja hyri në bisedime me bindjen se Irani, i dobësuar nga lufta, mund të pranonte shpejt kushtet e kompromisit.
Megjithatë, Teherani ruan vijat e tij të kuqe dhe beson se ende ka pozicion të fortë negociues.
Pavarësisht dëmeve të mëdha në postet ushtarake, Irani konsiderohet ende i aftë të vazhdojë përballjen dhe ruan një ndikim strategjik, veçanërisht përmes kontrollit të Ngushticës së Hormuzit.
Çfarë pritet më tej?
Të dy delegacionet janë larguar tashmë nga Pakistani, ndërsa e ardhmja e procesit mbetet e paqartë.
Presidenti amerikan, Donald Trump përballet tani me një zgjedhje të vështirë – të përshkallëzojë situatën apo të vazhdojë përpjekjet për negociata.
Eksperienca e marrëveshjes së mëparshme bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit, e arritur pas rreth 18 muajsh negociata të vështira, sugjeron se një zgjidhje e shpejtë mbetet e pamundur. //a.i/