E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit gjatë Pashkëve Ortodokse

KIEV/MOSKË, 12 prill /ATSH-DPA/- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky vlerësoi qëndrueshmërinë e popullit ukrainas përballë pushtimit të plotë rus, tashmë në vitin e pestë, në një mesazh për Pashkët Ortodokse të mbajtur sot në Katedralen e Shën Sofisë në Kiev.

Zelensky, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Olena Zelenska, tha se Ukraina ka përballuar dimrin më të vështirë të luftës dhe vijon të mbrojë territorin e saj.

“Ne vendosim besimin jo vetëm te forcat qiellore, por edhe te forcat tona të sigurisë dhe mbrojtjes”, u shpreh ai, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe saktësisë së armëve në luftën që, sipas tij, Rusia e nisi në shkurt të vitit 2022.

Në Moskë, presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi rolin e Kishës Ortodokse Ruse në mbështetje të asaj që ai e quan “operacioni special ushtarak” në Ukrainë, gjatë fjalimit të tij për Pashkët në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar.

Putini, duke mbajtur një qiri gjatë ceremonisë dje në mbrëmje, deklaroi se kishte urdhëruar një armëpushim për fundjavën, në mënyrë që besimtarët ortodoksë në të dy vendet të festonin Pashkët.

Megjithatë, të dyja palët akuzuan sot njëra-tjetrën për mijëra shkelje të armëpushimit.

Shtabi i Përgjithshëm ukrainas raportoi 2,299 shkelje nga forcat ruse, përfshirë 479 raste bombardimesh dhe rreth 1,800 sulme me dronë të vegjël.

Ai shtoi se nuk janë regjistruar sulme me raketa, bomba ajrore apo dronë të tipit “Shahed”.

Forcat Ajrore të Ukrainës konfirmuan një ndërprerje të luftimeve për rreth 18 orë, por njoftuan edhe për një sulm me dron rus në rajonin e Sumit, pranë kufirit verilindor me Rusinë, sot në mëngjes.

Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes akuzoi Ukrainën për sulme të qëllimshme, duke deklaruar se gjatë një periudhe 16-orëshe nga pasditja e djeshme deri mëngjesin e sotëm janë regjistruar 1,971 shkelje nga forcat ukrainase.

Sipas Moskës, trupat ukrainase kanë sulmuar pozicionet ruse pranë Pokrovskut, në rajonin e Donetskut, por të gjitha sulmet janë zmbrapsur. Po ashtu, janë penguar edhe përpjekjet për avancim në rajonin e Sumit.

Ministria ruse këmbënguli se të gjitha njësitë e saj kanë respektuar armëpushimin e urdhëruar nga Putin, i cili ishte parashikuar të zgjaste deri në mesnatë.

Të dyja palët kanë shkëmbyer akuza të ngjashme edhe gjatë armëpushimeve të mëparshme.

Këtë vit, Pashkët Ortodokse përkojnë një javë pas festimeve të Pashkëve nga katolikët dhe protestantët. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›