E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

ANKARA – Erdogan: Turqia, vendi ideal për të pritur bisedimet SHBA-Rusi-Ukrainë

ANKARA, 18 shkurt /ATSH/- Turqia do të ishte vendi mikpritës “ideal” për të pritur bisedimet e mundshme midis Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të ardhmen e afërt, tha sot presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, sipas “France24”

Erdogan priti sot në Ankara liderin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Bisedimet në pallatin presidencial të Erdoganit, erdhën disa orë pasi diplomatët e lartë amerikanë dhe rusë u takuan në Riad për bisedimet e tyre të para të nivelit të lartë që kur Moska pushtoi Ukrainën gati tre vjet më parë.

Zelensky, i cili vizitoi Turqinë për herë të fundit në mars 2024, do të udhëtojë në Riad më 10 mars.

Ndihmësi i lartë i Erdoganit Fahrettin Altun tha të hënën se dyshja do të diskutojnë se si të “forcojnë më tej bashkëpunimin” midis dy kombeve të tyre.

Turqia, anëtare e NATO-s, ka kërkuar të mbajë marrëdhënie të mira me fqinjët e saj ndërluftues të Detit të Zi, ndersa Erdogan ka ofruar vendin e tij si një ndërmjetës kyç dhe paqebërës i mundshëm mes Rusisë dhe Ukrainës.

Ankaraja ka ofruar drone për Ukrainën, por i është shmangur sanksioneve të udhëhequra nga Perëndimi ndaj Moskës.

Krahas Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Turqia ka luajtur një rol në ndërmjetësimin e disa marrëveshjeve të shkëmbimit të të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov u takua sot në Riad me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, si pjesë e asaj që Kremlini thotë se është një përpjekje për të rihapur lidhjet me Uashingtonin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›