E Hënë, 2 Nëntor 2026

ANKARA – Merz i ofron Turqisë partneritet më të ngushtë, mbështet rrugën e saj drejt BE-së

ANKARA, 30 tetor /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz i kërkoi sot Turqisë thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehu mbështetje për rifillimin e përpjekjeve të Ankarasë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, një proces që ka ngecur prej disa kohësh.

“Si gjermanë dhe si evropianë, ne duhet të forcojmë partneritetet tona strategjike – dhe nuk ka asnjë mënyrë tjetër përveç një partneriteti të fortë dhe të thellë me Turqinë”, tha Merz në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin Recep Tayyip Erdogan në Ankara.

“Le ta shfrytëzojmë edhe më mirë potencialin e madh të marrëdhënieve tona në muajt dhe vitet e ardhshme”, tha kancelari gjerman.

Merz nisi sot vizitën e tij të parë në Turqi, me qëllim rindërtimin e lidhjeve që kishin qenë të tendosura për vite me radhë.

Ai i përshkroi marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Turqisë si kryesisht gjithëpërfshirëse dhe të thella, duke theksuar kontributet e punonjësve me origjinë turke që u zhvendosën në Gjermani disa dekada më parë.

Merz premtoi mbështetjen gjermane për ambiciet e Turqisë për anëtarësim në BE, por theksoi nevojën për progres në standardet demokratike dhe shtetin e së drejtës.

“Ka pasur vendime në Turqi që ende nuk i përmbushin plotësisht standardet e kritereve të Kopenhagënit. Ne jemi në bisedime për këtë”, tha Merz.

Një pikë polemike është arrestimi i kryebashkiakut popullor të Stambollit, Ekrem İmamoglu.

Ndërsa Merz nuk e përmendi rastin drejtpërdrejt, ai kërkoi respekt për pavarësinë gjyqësore dhe shtetin e së drejtës – duke thënë se kishte shprehur shqetësim në lidhje me gjyqësorin gjatë bisedimeve me Erdogan. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›