LIBAN – Izraeli sulmon jugun e vendit, vritet punonjësi i bashkisë në Blida

BLIDA, LIBAN, 30 tetor /ATSH/ – Ushtria izraelite ndërmori sot një operacion të armatosur në jug të Libanit, gjatë të cilit u vra një punonjës i bashkisë së Blidës, sipas “The Guardian”.
Si përgjigje, presidenti libanez Joseph Aoun urdhëroi ushtrinë të përballet me çdo inkursion të ardhshëm izraelit në territorin e liruar jugor.
Sipas ushtrisë izraelite, operacioni kishte për qëllim objektivat e Hezbollahut, dhe trupat qëlluan ndaj një personi të dyshuar që përbënte “kërcënim të menjëhershëm”. Ngjarja është në shqyrtim.
Pavarësisht armëpushimit të nëntorit 2024 me Hezbollahun, Izraeli ruan praninë ushtarake në pesë zona të Libanit të Jugut dhe vijon me sulme ajrore të rregullta, duke pretenduar se godet infrastrukturë të Hezbollahut.
Kryeministri Nawaf Salam e quajti sulmin agresion flagrant kundër sovranitetit libanez.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit (NNA), ushtarët izraelitë hynë në ndërtesën e bashkisë në Blida, ku po flinte punonjësi Ibrahim Salameh, i cili u qëllua për vdekje.
Ministria e Shëndetësisë e konfirmoi vrasjen.
Në një incident tjetër, në fshatin kufitar Adaisseh, forcat izraelite shpërthyen një sallë ceremonish fetare në orët e para të mëngjesit.
Sipas ushtrisë izraelite, një tjetër sulm ajror u krye në zonën e Mahmudiyah, ku u goditën një lëshues raketash dhe një bosht tuneli të Hezbollahut.
Zëdhënësi i Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Jeremy Laurence, deklaroi se që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, 111 civilë libanezë janë vrarë nga forcat izraelite.
Sipas të dërguarit amerikan Morgan Ortagu, .Shtetet e Bashkuara po shtojnë presionin ndaj autoriteteve të Libanit për të çarmatosur Hezbollahun dhe për të vendosur të gjitha armët nën kontroll shtetëror deri në fund të vitit. /Ad.Ab./