APOSTULLI I PAVARËSISË GURAKUQI
NDUE DEDAJ
Luigj Gurakuqi është bashkëthemelues i shtetit shqiptar, njëri ndër më kryesorët e atij procesi historik madhor, madje i dyti pas Ismail Qemalit, si zëvendëskryeministër dhe i pari si shkrues (përpilues) i dokumentit të Pavarësisë. Në shugurimin e pavarësisë së Shqipërisë, në rastin e tij, nuk u ndodh dikush-diku për shkak të rrethanave, por një korife kombëtar si ai, sa të vjen të besosh se një figurë e tillë nuk mund të mungonte në ngjarjen më të madhe shtetformuese; ngase do të ishte bartës i një tipologjie të re qeverisje, çka do të thoshte se atëbotë e mbrapa nuk do të kishim të njëjtin tip shtetari si më parë, të prerjes lindore, otomane, por tipin properëndimor, siç nuk kishte qenë deri atëherë. Dhe të mendosh se Gurakuqi shkëlqente përballë modelit regresiv haxhiqamilist, esadpashist etj. Kjo mendojmë është qasja që na ka munguar në analizën e modelit të shtetarëve shqiptarë të paspavarësisë, përvijimi i dy kategorive, tipologjive udhëheqësore në Shqipërinë e shekullit të 20-të. Ata që do të ishin të dorës së fortë, të gjithpushtetshëm, deri totalitarë dhe ata që do të ishin të dobët, të urtë, liberatorë. Nëse për tipologjinë e parë nuk është e vështirë të gjenden shembuj (nga hierarkia mbretërore, udhëheqësia komuniste etj.) si dominues e sundues të skenës politike, për të dytët mendja të vete te Luigj Gurakuqi, Sulejman Delvina, Musine Kokalari, Sejfulla Malëshova e deri te Pjetër Arbnori pas rënies së regjimit komunist; njëherësh dhe tek Ibrahim Rugova, Ukshin Hoti e Arbën Xhaferi në Kosovë e te shqiptarët e Maqedonisë. Por, më së shumti, liberatorët ishin humbës, çka do të thotë se Shqipëria ende nuk ishte përgatitur për tu qeverisur nga të urtët. Ndoshta kjo është arsyeja që ky model shtetarësh nuk vlerësohen as sot me gjithë meritat historike që kanë pasur. Duket se dhe pushtetarët e kohës së re e gjejnë veten më mirë te steriotipi i njeriut të fortë, të stilit komandues, sesa tek ai i liberalëve. Në fillimet e shekullit 20 kemi një përzierje të roleve, një gërshetim të ideologëve të Rilindjes, me udhëheqësit e kryengritjeve, ku shpesh pushka dhe pena ishin të sintetizuara tek i njëjti individ. Atëherë ishte normale që një poet, shkrimtar, misionar kulture e gjer feje të ishte dhe prijës luftimesh për pavarësi, burrë shteti e politikan i lartë. (Siç kishte qëlluar që ndonjë njeri aq i shquar i letrave dhe predikimit, si Fan Noli, të kishte qenë i pamundur në politikë.) Por më vonë të ndaheshin rolet, shkrimtari do të merrej me shkrimtari dhe politikani me politikë.
Rilindësit e dinin se nuk po bënin një detyrë të radhës, por po rithemelonin vetveten si shqiptarë. Po merrnin nga arkivi i historisë motivet, ngjarjet, figurat, emblemat që u bënin nder dhe po u jepnin një shkëlqim të ri, duke mos u mjaftuar me lavdinë e shkuar, por duke shënuar vepra të reja atdhetare, kulturore. Gurakuqi hyri në epokën e Pavarësisë si një apostull i rilindjes së kombit, si burrështetas i aftë për sfida, iluminist e dituripërhapës i madh, për të mbetur si moraliteti më i lartë i shtetarit të gjithkohshëm; idealizmit në qeverisje e shërbesës ndaj shtetit. Edhe pse është përmendur aq shumë ai fakti që kur Gurakuqi u vra, në xhep nuk iu gjetën as pesë lekë, domethënë njeriut që kishte qeverisur financat e shtetit, fabula prapë nuk vjetrohet. Me siguri që me ketë episod qeshin ministrat e korruptuar, por kjo është arsyeja që ata nuk ngrihen kurrë te Gurakuqi. Mund të bëjnë të tyrin bregdetin sot e bjeshkën nesër, por me historinë dhe panteonin soji i tyre nuk do të ketë punë. Të rrosh për të tjerët dhe jo për kuletën e korrupsionit, kjo është çështja. Idealiteti nuk është moralizim, por një tipar fisnikësh herët e vonë. Njerëzit në të shkuarën ndihmonin pa interes, përfitim material, po për burrëri, solidaritet njerëzor, si në botën e qytetëruar, ku nëpunësit nuk shtyhen nga përfitimi vetjak. Kurse ndër ne ende nuk është kuptuar se asetet shtetërore, publike nuk mund të shndërrohen në biznes për familjen tënde e tarafin. Prandaj tregimi për varfërinë e Gurakuqit nuk është një gjë e dalë nga moda. Edhe sot mund të takosh Gurakuqë të gjallë, ndonëse ata mund të mos i përkasin dhe aq politikës, por kryesisht radhëve të intelektualëve, shkrimtarëve, artistëve etj.
Gurakuqi dhe gjithë sëra e tij e paktë shquheshin, ngaqë kishin mendim. Historianët e kanë analizuar mendimin e tij për shtetin në formim, që bazohet në parimet e rendit demokratik, ku ai është për hartim legjislacioni modern, po që të mbajë parasysh dhe traditën e kodeve shqiptare. Ajo që i dallonte politikanët, shtetbërësit ishte se ata kishin ide, mendime dhe vizione të qarta, kurse sot është e vështirë ta deshifrosh mendimin e liderëve, pikëpamjet e tyre mbi shtetin, politikën, koalicionet, qeverisjen etj. Jo se nuk njihen parimet e demokracisë, por se gjithçka ngjan pragmatike, çtë sjellë momenti, i cili zakonisht pjell kulisa e pazare. Aq sa nganjëherë të duket se këta të sotmit janë pa mendim. Disa nga idetë me të përfolura janë çeku i bardhë, që doli të mos ishte fare çek, jo më i bardhë, bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë, formulë e mirëqenë në planin filozofik për një bashkësi njerëzish të dalë nga një regjim diktatorial, po që zor se përputhej me realitetin; meritokracia në qeverisje, që më së shumti rezultoi një neopotizëm e klientelizëm i kulluar; përtej të majtës dhe të djathtës, që nuk kapërceu as gardhin e selisë rozë etj. Sloganet e lezetshme nuk thonë asgjë kur nuk kanë platforma politike ku të bazohen. Ashtu si kreu socialdemokrat që tash njëzet vjet artikulon vetëm një frazë: të gjithë në një front kundër Berishës, që do të thotë se asgjë të re nuk ka në politikëbërjen e tij. Dhe jo vetëm ai.
Nuk ka qenë e rastit ajo shprehja, që këtij apo atij politikani nuk i ka ardhur koha, ai është për një kohë tjetër etj. Për njerëzit e politikës ndryshe nuk iu kishte ardhur koha? Po atëherë e kujt ishte koha? E të fortëve, mjeshtërve të tribunave, manipuluesve të turmave me fjalime panegjerike etj. Njerëzit pas Gurakuqit, në përngjasim të tij, deri te më i fundit Arbën Xhaferi, ndër më elitarët i mendimtarëve shqiptarë, ishin profile rilindësish në kohë të vona dhe fakti që ata shfaqen herë pas here tregon se Rilindja ende nuk ka përfunduar. Historia ka arsye të tregohet më e denjë me ta, e në radhë të parë ndaj apostullit të Pavarësisë, Gurakuqi. Nuk jemi ne që mund të themi nëse duhet të ngrihet ose jo shtatorja Ahmet Zogut në këtë njëqindvjetor, për ngritjen e së cilës tashmë ka një vendim qeveritar, por ajo shtatore do të jetë ca shkallë më e ulët se e çdo sovrani tjetër europian, qoftë dhe për faktin se i bën hije vdekja e Gurakuqit. Nuk mund të bëjmë sikur kemi harruar, sikur disa gjëma a rrëzime historike mund të fashiten, anashkalohen me kalimin e kohës. Duke ia zbehur vrasjen Gurakuqit, duket sikur politika jep mesazhin e gabuar, se kur je atje lart mund të bëhen dhe gabime, në emër të forcimit të shtetit e të tjera arsye përligjëse. E sa për elitën e re politike, mund të thuhet se ajo i ka modelet prijëtare më së pari te gurakuqët, malëshovët, arbnorët, rugovët, arbënxhaferrët… apostuj të lirisë e pavarësisë. Por që të shquhen sa më qartë këto modele hyjnore, lypet mohimi i kulturës së diktaturës e autokracisë.
APOSTULLI I PAVARËSISË GURAKUQI burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip