Prapaskenat e një vrasje politike
Dorian Koçi
Më datën 13 gusht 1933, agjencitë telegrafike të Ballkanit përcollën lajmin se në Selanik ishte qëlluar për vdekje ish- kryeministri i Shqipërisë dhe politikani kosovar, Hasan Prishtina. Lajmi, ashtu si pritej, shkaktoi pështjellim në gjithë kancelaritë e Ballkanit, por reagimi më i madh natyrisht ishte nga opinioni publik shqiptar këndej e andej kufirit. Vrasja e patriotit Hasan bej Prishtinës në Selanik të Greqisë nga një emigrant pothuajse i panjohur, Ibrahim Çelo, jo vetëm që tronditi gjithë opinionin mbarëshqiptar, por dhe hodhi hije të forta dyshimi mbi autorësinë e vërtetë apo urdhëruesin e kësaj vrasjeje, vetë Naltëmadhëninë e tij, Ahmet Zogu. Ky dyshim vinte jo sepse autori Ibrahim Çelo deklaroi një gjë të tillë në organet e policisë greke, por sepse mënyra dhe ekzekutimi i vrasjes ishte pothuajse i njëjtë si vrasja e Gurakuqit. Atentatori, ashtu si dhe në rastin e Gurakuqit, ishte një i njohur i vjetër i viktimës dhe të dy martirët e lirisë shqiptare kanë rënë viktima të pabesisë së vrasësve. Gazeta greke Të reja nga Maqedonia përshkruan momentet e vrasjes së patriotit Hasan Prishtina si më poshtë: Vrasja u krye në orën 2 mbas dite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane IVI dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J.Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxorri rrufeshëm revolverin e markes SMITH dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe ti zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurtë për përfundimin e aktit të vrasjes. Si kuptohet dhe nga përshkrimi i gazetës, ajo duket që ishte një vrasje e porositur, pasi vrasësi në mënyrë makabre nuk ndalet as kur viktima ishte i rënë përdhe por e qëllon për tu siguruar në kokë. Mirëpo ajo që i përforcon më shumë bindjet se Hasan Prishtina ka rënë viktimë e ambicieve të Mbretit Zog për të përforcuar pozitat e tij sunduese janë rrethanat ndërkombëtare dhe koha kur u realizua vrasja.
Hasan Prishtina, një nga krijuesit e Pavarësisë së Shqipërisë, udhëheqësit të kryengritjes së viseve shqiptare në vitin 1913 kundër pushtimit të tyre nga ushtria serbe, restauruesit të pavarësisë shqiptare në 1920 dhe kryeministrit të një qeverie shqiptare në 1922, ishte një nga përkrahësit më të flaktë të përfshirjes së Shqipërisë në problemin kosovar dhe realizimit të një politike më aktive të Shqipërisë për të realizuar bashkimin kombëtar. Mirëpo këto dëshira dhe plane të tij binin ndesh me dëshirat dhe synimet e një grupi më të vogël deputetësh dhe politikanësh, që kryesisht vinin nga radha e ish- nëpunësve të Perandorisë Otomane, ku ndjenja nacionale nuk kish zënë vend njëlloj si te grupi i nacionalistëve ku Prishtina ishte një nga themeluesit e kësaj rryme, që në vitin 1910. Mes këtij grupi politikanësh me vizion të ngushtë kombëtar dhe të interesuar vetëm për të përforcuar pushtetin e vet lokal që e shikonin të ushtruar vetëm brenda kufijve të Shqipërisë shquante Ahmet bej Zogolli, përfaqësuesi i një familje lokale fisnike shqiptare, që nuk kish shkëlqyer shumë në karrierën perandorake si familjet e tjera të mëdha shqiptare si Vlorajt, Vrionasit, Bushatllinjtë, Libohovajt etj. Ahmet Zogolli, i zgjedhur për herë të parë kryeministër në vitin 1922, do të deklaronte nga tribuna e Parlamentit shqiptar se shteti shqiptar është i vogël dhe politika jonë duhet të jetë e qartë, e sinqertë dhe pa iluzione të cilat mund të na dëmtojnë shumë (me fjalën iluzione nënkupto përkrahjen e kauzës për tu bashkuar me Shqipërinë të territoreve shqiptare të mbetura jashtë kufijve.)
Problemi i përkrahjes së popullsive shqiptare të lëna jashtë kufijve apo lënies së tyre në fatin e vet ishte një problem që ndante shumë politikanë kosovarë aktivë në jetën politike të Shqipërisë si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Kadri Hoxha etj., nga pjesë e politikanëve shqiptarë që dëshironin të konsolidonin në radhë të parë pushtetin e tyre në Shqipëri, qoftë dhe përmes aleancave me fqinjët. Kjo mospërputhje e madhe për idenë kombëtare dhe mënyrën e ndërtimit të kufijve të shtetit shqiptar i kish detyruar që më herët, në vitin 1918, politikanët kosovarë të themelonin Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës. Në komitet, përveçse politikanëve kosovarë merrnin pjesë dhe shumë patriotë të tjerë shqiptarë, kryesisht politikanë të opozitës shqiptare, që si përfaqësues të shtresës së mesme dhe intelektuale kishin një vizion më të qartë të idesë kombëtare. Një pjesë e madhe e tyre u larguan jashtë atdheut pas rikthimit të Zogut më dhjetor 1924 dhe përbënë për një kohë të gjatë emigracionin aktiv antizogist dhe alternativën tjetër qeverisëse në rast të ndërrimit të pushtetit në Shqipëri. Të organizuar në organizata të ndryshme politike sipas bindjeve të tyre, ata nuk përbënin ndonjë rrezik të madh për Zogun, por në momentet kur për shkak të koniunkturave politike në Ballkan ata fitonin përkrahjen e ndonjë fuqie të madhe, ktheheshin në një rrezik potencial për regjimin zogist. Kjo ishte dhe një nga arsyet që Zogu, herë pas here, mundohej të godiste politikisht cilindo nga këto grupe emigracioni, për të siguruar pozitat e veta në Shqipëri, por dhe për të dhënë mesazhin e duhur Italisë, si të vetmes fuqi të madhe që i ishte dhënë përparësi në Shqipëri se ai ishte i vetmi partner që duhej të merrej në konsideratë. Mirëpo gjërat filluan të ndryshojnë aty rreth viteve 1931-1932, kur u kuptua se shteti shqiptar nuk kishte aftësitë e duhura financiare për të paguar kreditë e marra nga italianët, që me nënshkrimin e paktit të vitit 1926. Në këto kushte, italianët filluan të bënin presion ndaj Zogut, duke i avancuar kërkesat rreth prezencës së tyre në Shqipëri. Kështu, në këmbim të shtyrjes së kthimit të interesave të kredisë, ata kërkuan që në krye të xhandarmërisë shqiptare të vendoseshin oficerë italianë, dhe ti jepesh mbretërisë italiane monopoli i sheqerit, telegrafit dhe elektrikut. Si mund të kuptohet lehtë nga këto kërkesa, politika italiane kërkonte që të vinte nën një diktat akoma më të rëndë mbretërinë shqiptare dhe të shtronte rrugën për pushtimin e mëvonshëm të Shqipërisë. Këto kërkesa që çonin në pakësimin e sovranitetit të Shqipërisë, natyrshëm e shtynë Mbretin Zog që tiu kundërvihet dhe të përpiqej të hartonte një politikë të re të jashtme.
Vitet 1931-1935, sipas prof. Paskal Milos, janë vitet kur Zogu përpiqet të luajë një politikë të pavarur të jashtme dhe për këtë gjë tenton afrimin politik dhe me fuqi të tjera të mëdha dhe me shtetet e tjera në Ballkan. Si zakonisht, në raste të tilla kthesash politike, trokitet te miqtë e vjetër që në rastin e Zogut, ishte mbretëria serbo-kroate-sllovene. Në këto kohë po bëheshin përgatitje për Paktin Ballkanik dhe Zogu dëshironte ti bashkëngjitej kësaj iniciative. Në themel të këtij pakti ishte rregullimi i marrëdhënieve diplomatike dhe shuarja e kontradiktave për kufijtë midis shteteve ballkanike, gjë që në fakt shkonte në kundërshtim me politikën italiane që dëshironte të mbante ndezur vatra konflikti, për ta pasur më të lehtë ndërhyrjen në Ballkan. Për këtë arsye ata sponsorizonin dhe përkrahnin çdo lëvizje që nga ta konsiderohej si irredentiste, por në thelb ishin lëvizje-protesta ndaj padrejtësive që u ishin bërë popullsive në Ballkan, për të krijuar Serbinë e Madhe, Greqinë e Madhe d