Cilat janë rrobat që mbulojnë defektet tona?
Zakonisht, rrobat e freskëta nuk rrinë ngjitur shumë pas trupit dhe përveç kësaj, ndihmojnë që të mbulojmë defektet. Zbuloni të fshehtat e të veshurit
Pjesët e trupit që bien më në sy kur veshim rroba të ngushta janë barku, vithet, të ndenjurat dhe kofshët. Kur bëhet fjalë për linjat tona të tepruara, ne gratë jemi të ashpra dhe të pamëshirshme (madje ndonjëherë shumë të pamëshirshme), ndoshta për shkak të fotografive të rregulluara me fotoshop që shohim nëpër revista mode të ndryshme, ose për shkak se nuk arrijmë dot ta pranojmë trupin tonë me linjat që kemi. Në pamundësi për tu rregulluar me fotoshop në realitet, nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta shohim veten me një sy të mirë dhe të mos e ndëshkojmë për defektet që na ka dhuruar nëna natyrë, por të përdorim sensin kritik atje ku duhet. Në këtë rast dëshpërimi nuk na shërben aspak. Më e mira për ne është të bëjmë blerjet e duhura. Në përgjithësi çelësi i suksesit është zgjedhja e rrobave që mbulojnë defektet, të na përshtaten dhe të mos na bezdisin. Kjo është një e fshehtë që falë rrobave të lirshme dhe të lehta, vera bëhet më e bukur. Një këshillë e vlefshme do të ishte përdorimi i fustaneve të gjata deri në fund të këmbëve dhe stil hipi. Kjo lloj veshje është e përkryer për një aperitiv në plazh, një shëtitje pasdite, ose për një mbrëmje verore. Për një veshje të zakonshme, edhe një bluzë treçerekëshe me mëngë të shkurtra është e përsosur. Po kaq mirë do të dukeshit edhe duke e kombinuar me një palë streçe të ngushta, sheshka dhe një jelek të shkurtër, në mënyrë që të shmangni efektin e këmishës së natës.
Për fat të keq, jo gjithmonë bën vapë në verë. Ndodh që koha mund të ftohet, prandaj është mirë që gardërobës suaj të mos i mungojnë rrobat me mëngë të gjata. Në kohë me shi, për shembull, do të ishte mirë të vishnit një këmishë të bardhë me mëngë të gjata, me prerje të ngushtë në mes, një palë pantallona treçerekëshe ose të gjata me penca para, si të meshkujve. Nëse vazhdoni të keni probleme me rrobat edhe pas këshillave që ju dhamë, atëherë nuk ju mbetet gjë tjetër veçse të blini veshje me prerje të madhe, të mbani funde të gjëra dhe të vini ndonjë rrip në mes për të zbukuruar pamjen. Kjo do të ishte mënyra më e mirë, jo vetëm për të kaluar vapën, por edhe për të kuruar në detaj çdo defekt të paraqitjes suaj.
Aksesorët
Kryefjala e kësaj stine është ekstravaganca, ndërsa pjesët plotësuese janë ngjyrat që theksojnë pamjen tuaj. Është budallallëk që në plazh të mbani bizhuteri të vërteta, sepse rrezikojnë të prishen, të këputen ose të humbasin. Dhe përveç të tjerash, nuk janë në modë. Të mbash një komplet bizhuterish me gurë kur ke veshur një bluzë dhe një palë pantallona, ose rroba banje, është vërtet pa shije. Prandaj gjatë verës, por sidomos në plazh, këshillohet mbajtja e bizhuve.
Në verë mund të shohësh ngado vajza që mbajnë në qafë varëse plastike shumëngjyrëshe, me forma nga më të çuditshmet dhe me frymëzime gjeometrike nga më të ndryshmet. E njëjta gjë mund të thuhet për byzylykët dhe vathët, të punuara me materiale të veçanta dhe tonalitete fluoreshente ose mat. Shumë në modë janë edhe bizhutë prej druri, veçanërisht byzylykët, që mund të vendosen tre njëherësh në dorë; nuk mbeten pas byzylykët me fije ngjyra-ngjyra, ku nëpër të kanë edhe ndonjë shkronjë, lule apo detaje të tjera prej ari ose argjendi, që preferohen shumë nga adoleshentet. Mbretëresha mbetet perla, që mund të përdoret në çdo rast dhe çdo ambient. Mund të kombinohet me rroba të përditshme, por edhe kostume, fustane mbrëmje, pantallona të shkurta, të gjata, etj. Ngjyra e preferuar mbetet ajo gurkali.
Vajzat që guxojnë, mund ti mbajnë bizhutë edhe me kostumet e banjës, mjafton që të mos i bezdisin. Efekti është shumë seksi dhe mund të cilësohet si Cleopatra style. E rëndësishme është që në çdo kohë të ndiheni mirë me këto bizhu ekonomike dhe shumëngjyrëshe. Këto ditë, në modë janë byzylykët e mëdhenj me ngjyra. Ekstravaganca është ideale për këtë stinë.
Cilat janë rrobat që mbulojnë defektet tona? burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip