E Diel, 1 Nëntor 2026

ARRSH: Ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve në aksin Librazhd-Pogradec

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Në aksin Librazhd-Pogradec në vendin e quajtur Arrat e Gurrës, pas vlerësimit në terren, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në koordinim me Policinë e Shtetit, për arsye sigurie njofton sot se do të ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve në këtë segment.

Ndërkohë nga ana e ARRSH po merren masat e nevojshme për të ndërtuar menjëherë një bajpas provizor për sigurinë e qytetarëve dhe mjeteve.

ARRSH i bën thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin këtë aks, ndërkohë që përdoruesit e autoveturave të përdorin rrugën alternative Maliq-Lozhan-Moglicë-Gramsh-Elbasan deri në stabilizimin e plotë të situatës.

Gjithashtu ARRSH kërkon mirëkuptimin e të gjithë përdoruesve të rrugës.

“Çdo masë e marrë ka si qëllim të vetëm garantimin e sigurisë së jetës dhe parandalimin e incidenteve të mundshme”, theksohet në njoftimin e ARRSH-së.

Në vijim të këtij njoftimi, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan njofton se për qarkullimin e mjeteve në aksin rrugor “Librazhd-Pogradec”, do të bëhet bllokimi i plotë i qarkullimit në këtë aks rrugor, deri në një njoftim të dytë.

Në zbatim të këtij vendimi:

– Ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve, përfshirë mjetet e tonazhit të rëndë, autobusët dhe mjetet e vogla;

– Pikat kufitare do të njoftojnë dhe orientojnë drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, autobusët dhe mjetet e vogla për të mos vijuar lëvizjen në këtë aks;

– Rrugë alternative për mjetet e vogla do të jetë aksi Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas.

Do të lejohen të kalojnë vetëm Ambulancat, Shërbimet zjarrfikëse dhe Mjetet e Policisë.

Shërbimet e Policisë janë të pranishme në terren për monitorimin e situatës dhe orientimin e drejtuesve të mjeteve.

Apelojmë për mirëkuptim dhe respektim rigoroz të udhëzimeve të dhëna nga strukturat e Policisë.

Për çdo emergjencë, qytetarët të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›