Bllokimi i aksit juglindor, Berisha: Rrugën nuk e shembi moti, por korrupsioni

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pas bllokimit gjatë ditës së shtunë të segmentit rrugor Librazhd-Përrenjas, që ka paralizuar mijëra njerëz dhe gjithë zonën e juglindjes. Ai ka akuzuar qeverinë për korrupsion dhe paligjshmëri.
Sipas Berishës, situata ka lënë të bllokuar për orë të tëra qindra qytetarë në juglindje të vendit. Ai hodhi poshtë pretendimet se dëmtimi i rrugës është shkaktuar nga kushtet atmosferike, duke e lidhur situatën me ndërhyrje të paligjshme në shtratin e lumit.
‘Rrugën nuk e shembi moti, por e shembi korrupsioni,’ u shpreh kryedemokrati.
Berisha akuzoi drejtpërdrejt ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, për papërgjegjshmëri dhe lejim të ndërhyrjeve të paligjshme.
“Ky bllokim është vepër totale e paligjshmërisë dhe korrupsionit, papërgjegjshmërisë së dy ministrave, të cilat kanë lejuar të ndërhyhet në lum pa modelin e studiuar të domosdoshëm”, tha Berisha.
Ditën e sotme është ndaluar qarkullimi i të gjitha mjeteve, përfshirë mjetet e tonazhit të rëndë, autobusët dhe mjetet e vogla.