E Diel, 1 Nëntor 2026

ARRSH: Zero tolerancë ndaj ndotjes së rrugëve, gjoba deri në 200 mijë lekë

TIRANË, 29 gusht/ATSH/  Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka paralajmëruar masa të rrepta ndaj personave që hedhin mbetje nga automjetet apo i braktisin ato përgjatë rrjetit rrugor, duke bërë të ditur se kontrollet do të intensifikohen në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.

Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale, ARRSH thekson se “rrugët e Shqipërisë nuk janë kosh plehrash”, ndërsa apelon për ndërgjegjësim dhe respektim të rregullave.

“Hedhja e një shisheje, qeseje apo çdo mbetjeje tjetër nga automjeti është shkelje e ligjit”, thuhet në reagim.

ARRSH i referohet Ligjit, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, sipas të cilit shkelësit, përballen me gjoba nga 65 mijë deri në 200 mijë lekë.

Autoriteti njofton se në ditët në vijim do të intensifikohen kontrollet përmes kamerave inteligjente përgjatë rrjetit rrugor, me synim evidentimin e rasteve të hedhjes së mbetjeve nga automjetet.

“Automjeti dhe shkelësi do të identifikohen. Shkelja do të dokumentohet. Masa ndëshkuese do të zbatohet”, deklaron ARRSH.

Sipas autoritetit, ekipet e mirëmbajtjes janë çdo ditë në terren për pastrimin e rrugëve, por puna e tyre vështirësohet nga hedhja e vazhdueshme e mbetjeve.

“Rrugët janë pasuri publike. Pastërtia është përgjegjësi e çdo qytetari”, thekson ARRSH, duke u bërë thirrje drejtuesve të automjeteve të mos hedhin mbetje nga dritarja dhe t’i depozitojnë ato në vendet e përcaktuara.

“Zero tolerancë ndaj ndotjes. Kush ndot, paguan”, përfundon apeli i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

1 nga 3

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›