E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisma “Dhuro një Çantë”, Qendra Rinore dhe Dorcas synojnë të sigurojnë 100 çanta për fëmijët në nevojë

Qendra Rinore Korçë, në bashkëpunim me Fondacionin Dorcas Albania, ka ndërmarrë fushatën “Dhuro një çantë, ndriço një ëndërr”, me synimin për të mbështetur fëmijët në nevojë. Synimi është sigurimi i 100 çantave të pajisura me mjetet bazë për 100 fëmijë, në mënyrë që ata ta nisin vitin e ri shkollor me më shumë dinjitet dhe mundësi.

“Çdokush që ka interes dhe dëshirë mund të sjellë një çantë të re apo të përdorur pranë ambienteve të qendrës rinore. Gjithashtu, mund të kontribuojë financiarisht për të mundësuar blerjen e këtyre çantave, por edhe online, nëpërmjet aplikacionit Volunteja. Fushata do të zgjasë deri më 25 shtator dhe ne shpresojmë të ketë shumë mbështetje nga të gjithë qytetarët, bizneset dhe institucionet, sepse jemi të vetëdijshëm që fillimi i vitit shkollor është një moment gëzimi dhe emocioni për çdo fëmijë. Ne dëshirojmë që ata të ndihen të përfshirë dhe të barabartë”, u shpreh Eranda Zorba, Specialiste e Qendrës Rinore Korçë.

Fushatës i janë bashkuar edhe qytetarë dhe institucione të ndryshme, duke kontribuar me mjete shkollore për fëmijët përfitues.

“Ne jemi një grup nga Kujdestaria Sociale, nga Qendra e Formimit Profesional Korçë dhe, sapo pamë postimin për nismën që po ndërmerr Qendra Rinore në bashkëpunim me Dorkastinë, menduam që duhet të jemi të parët për të sensibilizuar dhe për të nxitur edhe të tjerët që të vijnë në ndihmë të gjithë fëmijëve që kanë nevojë për një çantë, meqenëse po nisim edhe vitin e ri shkollor. Prandaj, ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve: kush ka mundësi, mund të kontribuojë me diçka të vogël dhe, pse jo, të ndihmojë për t’u ardhur sa më shumë në ndihmë personave në nevojë dhe për të rritur mirëqenien e tyre”, Jana Matraku, Instruktore, Qendra e Formimit Profesional.

Organizatorët ftojnë qytetarët të bëhen pjesë e nismës, me synimin që 100 fëmijë ta nisin shkollën me një çantë të re, materiale të nevojshme dhe mbi të gjitha, me ndjesinë se janë të mbështetur.

Gazetare: E.  Fili

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›