ASHK: Shlyerja e kredisë nuk heq automatikisht hipotekën, qytetarët duhet të aplikojnë për fshirjen e saj

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) i bën apel qytetarëve që, pas shlyerjes së plotë të kredive, të kryejnë procedurën për fshirjen e hipotekës nga regjistrat e pasurisë.
ASHK sqaroi se, edhe në rastet kur detyrimi ndaj bankës apo institucionit financiar është mbyllur, hipoteka mund të vijojë të figurojë në regjistrat e pronës nëse nuk është realizuar procedura për çregjistrimin e saj.
“Për të përditësuar të dhënat e pronës, duhet të aplikoni për fshirjen e hipotekës dhe pajisjen me kartelë të përditësuar pasurie”, njoftoi ASHK.
Sipas Kadastrës, aplikimi kryhet online përmes platformës e-Albania, për shërbimin “Aplikim për fshirjen e hipotekës (kontraktore, gjyqësore apo ligjore)”.
Dokumentacioni i kërkuar për këtë shërbim përfshin aktin noterial për fshirjen e hipotekës, ndërsa kur aplikimi bëhet nga një përfaqësues duhet të paraqitet edhe prokura ose akti i përfaqësimit.
Pas përfundimit të procedurës, qytetarët pajisen me kartelën e përditësuar të pasurisë, ku pasqyrohet ndryshimi i statusit të pronës.
/e.xh/a.f/r.e/