Sefgjini shfaqet ne gjykate

TIRANË - I shoqëruar nga dy automjete civile dhe një numër i madh truprojash, Arben Sefgjini mbërriti dje në Gjykatën për Krime të Rënda rreth orës 11 e 45 minuta, për të bërë verifikimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”, të dhënë nga gjykata 5 ditë më parë. Kreu i Tatimeve së bashku me avokatin e tij u futën në gjykatë nën masa të rrepta sigurie, si nga truprojat personale, ashtu edhe nga agjentët e BRISK-ut, të cilët bllokuan hyrjet e gjykatës dhe morën në mbrojtje prokurorin e çështjes, Xhevat Hanën. Pas një pauze, për shkak të angazhimit të gjyqtarit Fran Prendi në një tjetër proces, seanca filloi normalisht dhe me tone të qeta. Fillimisht, ish-kreu i SHIK-ut Tiranë dha gjeneralitetet e plota për të bërë verifikimin e masës së sigurisë të dhënë nga gjykata. Qetësia me të cilën nisi seanca, u transformua pak nga pak në një debat personal mes Arben Sefgjinit dhe prokurorit të çështjes. Shkak për tonet e larta u bë një akuzë e re që prokuroria ka shtuar në dosjen hetimore ndaj ish-kreut të SHIK-ut Tiranë dhe tre vartësve të tij. Bëhet fjalë për rrëmbimin dhe torturimin me pasoja të rënda të Armando Loshajt, i prezantuar si telekronist të paktën tek Ziso Kristopulli, pasi u dërguan në Vain të Lezhës, së bashku me Remzi Hoxhën. Çështja “Loshaj” nuk është përfshirë në procedimin e mëparshëm penal ndaj 4 ish-shikasve. Sipas prokurorit, çështja penale ndaj Arben Sefgjinit, Avni Koldashit, Ilir Kumbaros dhe Budion Meçes, është regjistruar në 22 maj të vitit 2003, kur dhe janë arrestuar këta persona. Deri më 28 maj 2004 këta persona janë mbajtur në paraburgim për rrëmbimin e Remzi Hoxhës dhe Ziso Kristopullit, duke përjashtuar nga ky proces rrëmbimin e Armando Loshajt, i cili është marrë në pyetje nga prokurorët në Holandë në dhjetor të vitit 2003. Prokurori sqaroi se më 1 korrik të vitit 2004 është vendosur pushimi i çështjes, pas klasifikimit të akuzës nga “rrëmbim personi” në “shpërdorim detyre”, vepër kjo e amnistuar. Me urdhër të ish -Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, është shfuqizuar vendimi i pushimit dhe është urdhëruar rinisja e hetimeve, duke u bërë pjesë e procedimit edhe e rrëmbimit të Armando Loshajt. Kjo akuzë e re, sipas Sefgjinit, është e sajuar nga prokurori, i cili duhet të përgjigjet personalisht dhe jo organi që ai përfaqëson. “Prokurori paska adresuar një akuzë të re për rrëmbimin e Armando Loshajt. Ky është një manipulim i prokurorit, por nuk është një akuzë e re. Prokurori Hana na dalka me një akuzë të re, sikur e ka zbuluar ai”, - tha me tone të ashpra Sefgjini, i cili mori edhe vërejtje nga gjyqtari për ndërhyrje pa leje. Një tjetër moment që u kundërshtua ashpër si nga Sefgjini, ashtu dhe nga avokati i tij, ishte edhe vendimi i gjykatës për bllokimin e pasaportës. Sipas Sefgjinit, “prokuroria ka pasur prova të mjaftueshme se edhe gjatë procesit të hetimit paraprak unë jam larguar dhe jam kthyer sërish në Shqipëri. Kemi prova që tregojnë se kam ikur dhe jam kthyer sërish, pasi unë disponoj vizë “Shengen”. Prokurori e di që unë jam paraqitur në prokurori edhe pa më thirrur ai, por vetëm me një telefonatë”. Në përfundim të fjalës së tyre, Sefgjini dhe avokati i tij Zef Nika, kërkuan nga gjykata që të shpallë të pavlefshme kërkesën për masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe vendimin e gjykatës që dha këtë masë. Pasi dëgjoi palët, gjyqtari Fran Prendi vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, të dhënë më datë 4 maj ndaj Arben Sefgjinit.
Sefgjini vjen “i blinduar”
Eskorta civile e Sefgjinit, i cili që prej orës 17.00 të datës 5 maj qëndron në arrest shtëpie, mbërriti në gjykatë rreth mesditës. Dy automjete tip “Benz” dhe një numër i madh truprojash shoqëruan kreun e Tatimeve nga banesa e tij pranë “Fushës së Aviacionit”, deri në gjykatë. Në ambientet e gjykatës u fut njëri prej automjeteve me targë TR 2700 N, ku ndodhej Sefgjini, mbrojtësi i tij dhe dy persona civilë, të cilët u futën më pas edhe në sallën e gjyqit të pakontrolluar. Në gjykatë thanë se dy personat që zunë vend pas agjentëve të BRISK-ut, kishin autorizim, por pa sqaruar se nga cili institucion. Ndërsa jashtë ambienteve të gjykatës, Sefgjini pritej nga të paktën 4 truproja, të cilët ndoshta ishin edhe agjentët e policisë që duhet ta shoqëronin. Të njëjta masa sigurie mbizotëronin edhe përreth pallatit ku banon z. Sefgjini, ku persona civilë nga të katër anët shikonin me dyshim çdo kalimtar të rastit, pa nguruar madje edhe t’i filmojnë, ndoshta për arsye sigurie.
Nderkohe, ish-shefi i Vëzhgimit të Bazës Nr. 10, Avni Koldashi, ishte i pandehuri i dytë që u paraqit në gjykatë për verifikimin e masës së sigurisë ndaj tij dhe kushtet e zbatimit të saj. Koldashi u paraqit i vetëm në seancën e djeshme, pasi sipas tij, nuk ishte e nevojshme prania e një avokati mbrojtës. Që në fillim të seancës, i pandehuri i dytë, i akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin me pasoja të rënda të Remzi Hoxhës, Ziso Kristopullit dhe Armando Loshajt, deklaroi se ishte invalid i klasit të parë. “Sa je i garantuar në këtë shtet, do ta tregojë koha”, - tha Koldashi, i cili njëlloj si Sefgjini akuzohet edhe për rrëmbimin e Armando Loshajt, akuzë e papërmendur në dosjen e parë hetimore. “Akuzat ndaj meje janë të pabaza si në arrestimin e parë, ashtu edhe tani. Kjo akuzë është një trillim i pabazë i strukturave shtetërore, me prapavijë politike dhe korruptive”, - deklaroi Koldashi. Gjatë seancës nuk munguan as replikat mes prokurorit dhe të pandehurit, dhe veçanërisht kur përfaqësuesi i akuzës përmendi dënimin që parashikon Kodi Penal për veprat penale që rëndojnë mbi ish-shikasit. “Dhjetë vjet burg pse punova në shtet dhe pse kam ardhur nga Kukësi në Tiranë?” - pyeti Kodashi, i cili vuri dhe një herë theksin tek bllokimi i pasaportës. Sipas tij, gjatë kësaj kohe i janë krijuar të gjitha mundësitë për të fituar azil politik në ndonjë vend të Evropës. “Unë nuk i jam shmangur drejtësisë. E kam pasur mundësinë për të fituar azil politik, por nuk e kam parë kurrë të nevojshme, pasi jam i pafajshëm. Këtë gjë mund ta vërtetoj edhe me një hetim të paanshëm ndërkombëtar”, - deklaroi Koldashi.