ATK-ja zbulon evazion fiskal me vlerë 1 milion euro

Administrata Tatimore e Kosovës e ka quajtur sukses arrestimin e personave që i shkaktuan 1 milion euro dëm buxhetit të Kosovës duke shmangur tatimin. Arrestimi i tyre është bërë pas dy vjet hetimesh të bëra nga njësia e hetimeve të Administratës Tatimore të Kosovës.
Zyrtarët e ATK-së kanë thënë se gjatë aksionit të bastisjes janë gjetur dokumentacione të ndryshme, fatura të përgatitura për transaksione fiktive dhe vula të firmave të regjistruara, që janë përdorur për lëshimin e faturave me transaksione fiktive. Gjithashtu, gjatë kësaj bastisje janë konfiskuar një laptop, dy shtëpiza kompjuteri, certifikata të bizneseve të familjarëve të të dyshuarve dhe personave të tjerë, raporton KTV-ja, duke shtuar se personat e dyshuar e kanë pranuar fajin dhe janë dënuar nga gjykata me 30 ditë paraburgim.
Bazuar në raportet ndërkombëtare, evazioni fiskal në vendin tonë sillet nga 20 deri në 40 për qind./Indeksonline/