ATSH dhe DPA forcojnë bashkëpunimin për verifikimin e përmbajtjeve në epokën e IA-së

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ – Përballë sfidave që inteligjenca artificiale paraqet për gazetarinë bashkëkohore, Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe agjencia gjermane e lajmeve DPA zhvilluan sot një trajnim profesional mbi verifikimin e përmbajtjeve digjitale, me fokus identifikimin e imazheve dhe videove të manipuluara dhe kontrollin e autenticitetit të materialeve të publikuara në internet.
Trajnimi, i drejtuar nga gazetari i DPA-së, Stefan Voss, mblodhi 11 gazetarë dhe përkthyes të ATSH-së në një sesion ndërveprues, ku u kombinuan përvoja profesionale, analiza konkrete dhe ushtrime praktike për verifikimin e materialeve vizuale dhe burimeve të informacionit.
Në një mjedis mediatik ku përmbajtjet mund të krijohen dhe manipulohen gjithnjë e më lehtë përmes inteligjencës artificiale, verifikimi i informacionit mbetet një element thelbësor i raportimit të saktë dhe të besueshëm. Për këtë arsye, trajnimi u përqendrua te metodat që ndihmojnë gazetarët të vlerësojnë origjinën, autenticitetin dhe kontekstin e materialeve përpara publikimit.
Një ndër teknikat e trajtuara ishte kërkimi i kundërt i imazheve (Reverse Image Search), që mundëson gjurmimin e fotografive në internet, identifikimin e publikimeve të mëparshme dhe verifikimin e kontekstit në të cilin ato janë përdorur. Po ashtu, u shqyrtuan mënyra për të analizuar videot, për të identifikuar shenja të mundshme manipulimi dhe për të verifikuar materialet e shpërndara në rrjetet sociale apo të dërguara nga dëshmitarët okularë.
Përmes ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit analizuan materiale të ndryshme dhe diskutuan hapat që duhen ndjekur për të ndërtuar një proces të besueshëm verifikimi, nga kontrolli i burimit dhe krahasimi me të dhëna të tjera, deri te vlerësimi i provave që mbështesin autenticitetin e përmbajtjes.
Gjatë trajnimit u theksua se mjetet teknologjike janë një mbështetje e rëndësishme për punën gazetareske, por nuk zëvendësojnë analizën kritike dhe gjykimin profesional. Vëzhgimi i detajeve, logjika, njohja e kontekstit dhe vlerësimi i besueshmërisë së burimeve mbeten thelbësore për identifikimin e mospërputhjeve dhe shmangien e gabimeve në raportim.
Përshtatja me zhvillimet teknologjike dhe forcimi i njohurive profesionale janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të redaksive për të përballuar sfidat e dezinformimit dhe për të ruajtur standardet e saktësisë, përgjegjshmërisë dhe besueshmërisë së informacionit.
Bashkëpunimi mes ATSH-së dhe DPA-së mbështetet në një histori mbi 30-vjeçare të shkëmbimit të informacionit dhe përvojave profesionale. Të dyja agjencitë janë gjithashtu pjesë e projektit European Newsroom (ENR), një platformë që bashkon agjenci evropiane lajmesh për të forcuar bashkëpunimin ndërkufitar, shkëmbimin e informacionit dhe standardet profesionale të gazetarisë.
E themeluar në vitin 1949, DPA është agjencia më e madhe e pavarur e lajmeve në Gjermani dhe një prej agjencive të rëndësishme ndërkombëtare të informacionit, me rrjet korrespondentësh në dhjetëra vende të botës.
Foto: Trajnimi i gazetarëve të ATSH-së me DPA, foto: Andrin Hoxha.
Trajnim i gazetarëve të ATSH-së me DPA, foto: Andrin Hoxha 1 nga 18/k.s/j.p/r.e/