E Enjte, 5 Nëntor 2026

ATSH mes 32 agjencive në ekspozitën e EANA-s, “Autenticiteti i imazhit në Epokën e IA-së”

TIRANË, 21 maj /ATSH/- EANA, ku ATSH është anëtare me të drejta të plota, ka organizuar ekspozitën fotografike të titulluar “Autenticiteti i imazhit në Epokën e IA-së – 32 fotot më të mira nga 32 agjenci të lajmeve të EANA-s” gjatë Kongresit të shumëpritur “CEPIC 2024”.

Ekspozita shfaqi punën e jashtëzakonshme të agjencive të lajmeve anëtare të EANA-s, një ndërthurje fotosh nga secila agjenci, duke nxjerrë në pah cilësinë e rrëfimit edhe përmes fotove nga agjencitë e lajmeve anëtare të EANA-s.

“Promovimi i cilësisë së agjencive të lajmeve është një nga qëllimet e Aleancës së Agjencive Evropiane të Lajmeve (EANA), dhe realizimi i saj përmes fotografisë së fuqishme autentike të shtypit është një nga mënyrat më të mira për ta bërë atë përpara një auditori”, tha sekretari i përgjithshëm i EANA-s, Alexandru Giboi.

“Në këtë mënyrë, publiku përjeton se çfarë do të thotë gazetari e vërtetë dhe ndikimi i imazheve të ekspozuara është i garantuar të lërë një përshtypje të qëndrueshme”, shtoi ai.

“U lumturova kur pashë një turmë të madhe dhe të larmishme pjesëmarrësish, të përbërë nga specialistë të teknologjisë dhe fotografisë, që admiruan imazhet e zgjedhura nga 32 anëtarët tanë, agjencitë kryesore të lajmeve në Evropë”, tha Giboi.

Në këtë ekspozitë, ATSH u përfaqësua me një foto nga Kisha e “Shën Mëhillit” në Vithkuq të Korçës.

EANA në partneritet me CEPIC gjithashtu organizoi një panel diskutimi gjatë Kongresit “CEPIC 2024”.

Diskutimi i panelit u fokusua në autenticitetin e lajmeve dhe rëndësinë e gazetarisë së besueshme për shoqërinë e sotme.

Paneli u moderua nga Alexandru Giboi, ku ishin përzgjedhur figura të larmishme dhe me shumë përvojë: Stefano de Alessandri, CEO i ANSA (Itali), Magdalena Konig, këshilltare e përgjithshme për AIQ (Emiratet e Bashkuara Arabe) dhe Matthew Hibberd, dekani i ri i Fakultetit të Gazetarisë, Komunikimit, Shoqërisë dhe Kulturës në “Universitetin e Zvicrës Italiane” – “Università della Svizzera Italiana” (Zvicër). //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›