E Diel, 1 Nëntor 2026

AUSTRALI – Reshje rekord dhe përmbytje, Queensland nën alarm

KANBERRA, 22 tetor /ATSH/- Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në juglindje të Queensland-it, në Australi, duke mbuluar rrugët, bllokuar automjete dhe detyruar autoritetet t’u kërkojnë banorëve të disa zonave të përgatiten për t’u larguar nga banesat, sipas “Reuters”.

Sipas raportimeve, reshjet u intensifikuan gjatë natës dhe vijuan fuqishëm sot në mëngjes, veçanërisht në zonat përreth Brisbanes, kryeqytetit të Queensland.

Në Caboolture, në veri të Brisbanes, u regjistruan 263 milimetra shi brenda 24 orëve deri në orën 09:00 të mëngjesit.

Në disa zona, sasi shumë të mëdha reshjesh ranë brenda tri orëve.

Në Caboolture u regjistruan 172 milimetra shi në tri orë, ndërsa në zonën e Morayfield u matën 168 milimetra.

Autoritetet paralajmëruan për stuhi të forta dhe përmbytje të rrezikshme në Brisbane, Caboolture, Ipswich, Nambour, Samford dhe zona të tjera përreth.

Byroja Australiane e Meteorologjisë, paralajmëroi se reshjet e dendura dhe stuhitë mund të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim.

Sipas parashikimeve meteorologjike, moti i paqëndrueshëm mund të zgjasë deri në fillim të javës së ardhshme.

Meteorologët shpjeguan se masat e lagështa të ajrit, të kombinuara me sisteme atmosferike, që favorizojnë formimin e reve dhe stuhive, po sjellin reshje të shumta në Queensland dhe në pjesë të verilindjes së shtetit fqinj, Uellsit të Ri Jugor. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›