AUSTRI – Christian Stocker kancelari i ri i qeverisë së koalicionit trepartiak

VJENË, 3 mars /ATSH-DPA/ – Qeveria e re e koalicionit trepartiak të Austrisë, e përbërë nga Partia Popullore Austriake (OVP), Partia Social-demokrate (SPO) dhe NEOS, liberale, u betua sot duke i dhënë fund muajve të bllokimit politik në vendin alpin.
Presidenti Alexander Van der Bellen u kërkoi të tre fraksioneve që gjithmonë të vënë të mirën e shtetit përpara interesave partiake.
Ai gjithashtu i bëri thirrje qeverisë së re që të luajë një rol aktiv në forcimin e Bashkimit Evropian, në dritën e tensioneve globale në rritje.
“Ne duhet të sigurojmë paqen në mënyrë strategjike në Austri dhe në Evropë”, tha Van der Bellen.
Aleanca do të drejtohet nga kreu i OVP-së Christian Stocker si kancelar, ndërsa shefi i SPO-së, Andreas Babler do të shërbejë si zëvendëskancelar.
Kryetarja e partisë NEOS, Beate Meinl-Reisinger do të marrë postin e ministres së Jashtme.
OVP dhe SPO kanë emëruar nga gjashtë anëtarë të kabinetit, ndërsa NEOS mban dy poste ministrore.
Ceremonia e betimit shënoi fundin e një kërkimi pesëmujor për një qeveri të re.
Partia e ekstremit të djathtë të Lirisë së Austrisë (FPO) fitoi zgjedhjet parlamentare në shtator, por është detyruar të shkojë në opozitë pasi bisedimet e koalicionit me OVP-në dështuan në fillim të këtij viti.
Detyrat kryesore të aleancës së re përfshijnë rritjen e ekonomisë dhe reduktimin e deficitit të madh buxhetor të vendit.
Tre palët kanë rënë dakord gjithashtu për një qasje më të ashpër ndaj migrimit./ a.jor.