E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, PD injoron kërkesat e Topit

 

PD nuk merr parasysh shumicën e vërejtjeve të Topit dhe opozitës për kompetencat e pushtetit vendor

TIRANË- Mazhoranca ka humbur shansin e dhënë nga Presidenti i Republikës, për miratimin me konsensus të gjerë të projektligjit “Për urbanizimin dhe legalizimin e zonave informale”. Fryma e bashkëpunimit e vërejtur ditët e para të diskutimit të këtij drafti, ka marrë fund dje, kur deputetët e shumicës nuk kanë marrë parasysh pothuajse asnjë prej vërejtjeve dhe propozimeve të bëra së pari nga kreu i shtetit në dekretin e tij, dhe më pas të deputetëve të majtë në Komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, apo edhe propozimet e grupeve të interesit të përfaqësuara nga Shoqata “Pronësi me Drejtësi”.

Nenet e miratuara

Kompetencat e pushtetit vendor kanë qenë “nyja gordiane” rreth së cilës është përqendruar dhe debati më i madh në këtë komision. Pavarësisht disa lëshimeve të bëra në këtë drejtim nga shumica, sidomos në nenin 7, të projektligjit, ku pushtetit vendor iu kthye e drejta që brenda 60 ditëve të bëjë kualifikimin e dokumentacionit të vetëdeklarimeve të subjekteve që kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme, pothuajse në të gjitha nenet e tjera të këtij drafti, kompetencat që në ligjin bazë i ishin përcaktuar qeverisjes vendore i kalojnë Agjencisë së Urbanizimit dhe Legalizimit të Zonave Informale. Kjo është kundërshtuar fort gjatë seancës së djeshme nga deputetët e opozitës, të cilët e kanë konsideruar këtë si në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Pushtetin Vendor. Diskutimi i djeshëm ka nisur përsëri me nenin 7, të projektligjit, ku e vetmja pikë për të cilën të dyja palët ranë dakord, ishte ajo për ndryshimin e germës “c” të këtij neni sipas propozimit të opozitës, ku përcaktohet se “ALUIZNI, në bashkëpunim me njësinë e qeverisjes vendore, i propozon KRRT-ve apo KRRTRSH-së për miratim kufirin e zonës/vendbanimit/bllokbanimit me ndërtime të legalizuara për urbanizimin e tyre”. Ndërkohë që një tjetër nen për të cilën palët ranë në konsensus ishte edhe ai me numër 12, ku u përcaktua se “Zyra Rajonale e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, kompensojnë subjektet brenda 3 muajve në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave për shpërblimin e pronarëve”. Ndërkohë që për nenet e tjera të paraqitur nga mazhoranca, përfaqësuesit e majtë në komision kanë votuar kundër, me argumentin se ato nuk reflektojnë asnjë prej sugjerimeve të Presidentit dhe të grupeve të interesit.

Opozita

Kreu i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Ylli Bufi dhe deputeti socialist Pilo Keri kanë paraqitur në emër të opozitës një material me propozime të detajuara, të cilat preknin një sërë nenesh, ku, natyrisht, ata pretendonin se ishin prekur kompetencat e pushtetit vendor. Bufi ka propozuar që të hiqen nga drafti propozimi për shfuqizimin e neneve 11 dhe 14 të ligjit bazë, pasi, sipas tij, kjo sjell shmangien nga vendimmarrja të KRRT-së në përcaktimin e kufirit të bllokut informal. Gjithashtu, ai ka kërkuar ndryshimin e nenit 13, duke hequr fjalën “Në Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-t” për të rivendosur “në Zyrën e Urbanistikës”, pasi në të kundërt, nga vetë përmbajtja e tij është evident përthithja e kompetencave vendore nga ALUIZNI, propozim i cili është hedhur poshtë nga shumica. Një ndërhyrje tjetër e Bufit, ka qenë edhe ajo për nenin 14, ku thuhet se “ALUIZNI, me vendim të Këshillit të Ministrave ngarkohet të kryejë procedurat për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga shteti, tek poseduesi i ndërtimit pa leje”. “Ne nuk jemi dakord me këtë, se ALUIZNI nuk ka kompetenca për shitjen e pronës shtetërore, aq më tepër kur ajo hyn në juridiksionin e qeverisjes vendore”, - tha Bufi. Nga ana tjetër, deputeti socialist Pilo Keri, referuar ndryshimeve që i bëhet pikës 3 të këtij neni, ka theksuar se me riformulimin që i bëhet atij nga shumica, është heqje e pastër e kompetencave të KRRT-së, pasi në këtë pikë përcaktohej se organet e qeverisjes vendore përcaktojnë destinacionin e objektit sipas vetëdeklarimit. Gjithashtu, përfaqësuesit e majtë në këtë komision kanë kërkuar dhe ndryshimin e nenit 16, 17, 19, 24, 28, me argumentin se në të gjitha këto nene, në mënyrë të përsëritur, anashkalohet pushteti vendor nga procesi i legalizimit. Por të gjitha këto kërkesa nuk janë marrë parasysh nga përfaqësuesit e shumicës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›