E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet dhe puna e qeverise, PD ngre grupet

 

Berisha u kërkon deputetëve që të përcjellin punën e qeverisë në bazë

TIRANË- Viti 2008 për demokratët do të cilësohet si viti i partisë. Pas mbledhjes se grupit të PD-së, kryeministri Sali Berisha ka mbledhur një pjesë të Këshillit Kombëtar bashkë me grupet e punës të partisë. Burime nga mbledhja, që ka zgjatur rreth një orë, deklaruan dje për gazetën se është diskutuar gjerësisht për ristrukturimin e degëve dhe për kontaktet që zyrtarë të lartë të PD-së dhe deputetë duhet të kenë me bazën. Takimi është përqendruar në dy drejtime kryesore; Së pari në rifreskimin e strukturave dhe fillimin e përgatitjeve për ti paraprirë masave që do të merren për zgjedhjet e 2009-ës dhe së dyti në reklamimin e punës tre vjeçare të qeverisë. Grupet e punës që janë ndarë sipas zonave elektorale do të fillojnë axhendën e planifikuar të takimeve nga mesi i javës tjetër për të përcjellë mbi të gjitha në bazë punën e deritanishme të qeverisë. Kryeministri Sali Berisha është shprehur se elektorati i djathtë duhet të jetë në dijeni të asaj çka qeveria po bën, ndaj dhe takimet duhet te përqendrohen kryesisht në këtë drejtim. Në këtë mënyrë, pas shumë muajsh, Partia Demokratike ka mbledhur zyrtarisht një pjesë të forumeve të saj, duke e trajtuar kësaj here takimin, si organizative, pa u përqendruar shumë në objektivat politike që kjo parti do të ndërmarrë në të ardhmen. Prej disa ditësh, kryeministri Sali Berisha ka filluar një tur nëpër rrethe me sloganin “Shqipëria në NATO”. Pothuajse në çdo takim, kryeministri Berisha ka radhitur të gjitha ato që ai i cilëson si arritje të qeverisë së tij, duke u shprehur në të njëjtën kohë se qeveria që ai drejton është ajo e duarve të pastra dhe e premtimeve. E njëjta frymë, sipas Berishës, duhet të përcillet edhe nga deputetët në popull.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›