Abazoviç apelon: Në takimin tjetër të “Ballkanit të Hapur”, të mos jenë 5, por të gjashta vendet e Ballkanit

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, apelon që në takimin tjetër të “Ballkanit të Hapur”, të mos jenë 5, por të gjashta vendet e Ballkanit. Këtë qëndrim ai e shprehu në konferencën e përbashkët për shtyp të liderëve të Ballkanit Perëndimor, në Ohër, duke nënvizuar në fjalën e tij se ““Ballkani i Hapur” është fytyra re e Ballkanit Perëndimor”.
“Kam marrë pjesë në shumë takime në lidhje me Ballkanin Perëndimor. Kjo është një fytyrë e re e Ballkanit Perëndimor. Të gjitha temat e adresuara kanë të bëjmë me jetën dhe standarde, qoftë për bujqësinë, krizën aktuale, apo ajo që na pret në Evropë. Kjo është një qasje që paraqet një kthesë. Unë apeloj që herën tjetër të mos jemi pesë, por gjashtë. “Open Balkan” të ketë më shumë pjesëmarrës. Pra, të bëjmë gjërat që qytetarët kërkojnë nga ne. Do të doja që kjo strukturë të forcohet edhe me shtetin e gjashtë. Ne jemi të fokusuar për bashkëpunim. Ishte nder për mua dhe kënaqësi të isha këtu. Ju uroj sukses të madh dhe dua të them që Maqedonia e Veriut e ka arsyetuar rolin e saj.”, tha ai.
/rtsh.al/