Serbët në Veri s’paguajnë energjinë, Ironia e anlistit Kërstiç: Janë popull qiellorë, mendojnë se rryma është nga Zoti

Analisti politik, Branimir Kërstiç, i është përgjigjur me ironi pyetjes së KosovaPress-it, se çka i dallon serbët e veriut nga e gjithë bota për të qenë të vetmit që nuk paguajnë rrymën të cilën e shpenzojnë.
“Meqë serbët janë popull qiellorë, rryma atyre iu vije nga Zoti”, ka thënë Kërstiq. Sipas tij, nuk janë vetëm serbët në veri që nuk paguajnë për rrymën e harxhuar, por edhe shqiptarët, të cilët siç tha ai, përbëjnë 15 për qind të popullsisë në veri.
Ai shtoi se deri vonë ka pasur donacione, sidomos nga shtetet nordike për rrymën në veri, mirëpo me ardhjen e qeverisë së re në pushtet, këto donacione janë ndërprerë dhe fatkeqësisht qytetarët e Kosovës, përjashtuar këtu pjesën veriore, ndihen të vjedhur dhe të pabarabartë në raport me qytetarët e veriut.
Politikani Kërstiç u shpreh i sigurt se në kuadër të bisedimeve të Brukselit, pagesa për energjinë në pjesën veriore do të ndodhë deri në fund të këtij viti dhe me rëndësi është që deri atëherë të mos ketë probleme, por të mbretërojë situatë e qetë. Qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës që nga paslufta nuk paguajnë energjinë. Llogaritet se shpenzojnë rreth 12 milionë euro energji elektrike në vit, ndërsa një kohë të gjatë barra për faturat e tyre kishte rënë në konsumatorët e qyteteve tjera të Kosovës.
/rtsh/